Shpallja e aktgjykimit ndaj Naser Pajazitaj - 27.05.2021 - FOTO KALLXO

Seanca ndaj Naser Pajazitajt, Gjykata thotë se nuk u soll në gjykatore, Shërbimi korrektues reagon

Gjykata e Ferizajt ka dështuar të vazhdojë procesin gjyqësor ku Naser Pajazitaj, po akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn.

Kjo pasi i akuzuari Pajazitaj nuk është sjellë në gjykatë për të vazhduar procesin.

Në një përgjigje për KALLXO.com, gjykata e Ferizajt ka thënë se kryetari i trupit gjykues e ka përcjellë përmes emailit zyrtar urdhëresën për sjelljen e të akuzuarit.

“Ju njoftoj se Kryetari i Trupit Gjykues më datë 18.02.2022 përmes emailt zyrtar ka përcjelle urdhëresën Njësitit për Transportin e të Paraburgosurve, që më datë 21.02.2022 të shoqërohet i pandehuri N. P. në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në përgjigjen e gjykatës thuhet se Njësiti për Transportin e të Paraburgosurve ka njoftuar gjykatën të njëjtën ditë se e kanë të pamundur të realizojnë urdhëresën për datën e sotme.

Në anën tjetër ka reaguar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës ku ka njoftuar opinionin publik se Urdhëresa për përcjelljen e të akuzuarit Pajazitaj në Gjykatë ka ardh me vonesë, andaj sipas tyre ka qenë e pamundur zbatimi i urdhëresës.

“Bazuar në Rregulloren e Brendshme të Punës, Urdhëresa duhet të pranohet së paku 72 orë më herët, me qëllim që përcjelljet të planifikohen me kohë dhe me prioritet, ndërsa urdhëresa në fjalë është pranuar më 18.02.2022, ora 15:15 për t`u realizuar sot më 21.02.2022”, thuhet në njoftimin e tyre.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 10 mars 2022.

Gjykata e Apelit në muajin nëntor ka vendosur që ta anuloj dënimin me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Ferizajt ndaj Naser Pajazitajt, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn.

Në maj të viti 2021, Gjykata e Ferizajt e dënoi me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, pasi e gjeti fajtor për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Anulimi i aktgjykimit të Gjykatës së Ferizajt erdhi pasi që Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësve të të akuzuarit, gjeti se ankesa është e bazuar, pasi që sipas Apelit, aktgjykimi i Gjykatës së Ferizajt është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e po ashtu mbështetet edhe në prova të papranueshme.

Sipas Prokurorisë përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën duke e dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, dhe më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës së Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda u gjykua në Gjykatën e Ferizajt.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast: LINK