Rrahja me tërfurq, dështon seanca për shkak të mungesës së ekspertit mjekoligjor

 

Në Gjykatën e Gjilanit në përbërje të trupit gjykues prej kryetarit Aziz Shaqiri dhe anëtarëve Islam Thaçi dhe Venhar Salihu, ishte caktuar të mbahej shqyrtimi gjyqësor për të akuzuarit për lëndime të rënda trupore gjatë rrahjes me njëri tjetrin.

Sinan Hasani, Ilir Hasani dhe Sami Salihu akuzohen nga prokuroria se gjatë një mosmarrëveshje për shfrytëzimin e një prone të paluajtshme, ishin rrahur në mes vete duke përdorur lopatë e tërfurk.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Sinan Hasani e Ilir Hasani e kishin sulmuar fillimisht të akuzuarin Sami Salihu me lopatë dhe i kishin shkaktuar lëndime të rënda.

Ndërsa më pas, i akuzuari Sami Salihu, e kishte sulmuar në dorë me tërfurk të akuzuarin Sinan Hasani, të cilit i kishte shkaktuar lëndime të rënda.

Në seancë ishin të pranishëm prokurori Shaban Spahiu dhe të akuzuarit Sinan Hasani me mbrojtëse Sadbere Maliqi, Ilir Hasani me mbrojtës Sahit Musa dhe Sami Salihu me mbrojtës Nasuf Nasufi.

Për këtë shqyrtim gjyqësor ishte caktuar që të dëgjohej ekspertiza e ekspertit mjekoligjor Dr. Musa Gashi, mirëpo i njëjti e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në seancë.

Eksperti kishte munguar edhe në seancën e kaluar në këtë çështje penale.

Për këtë arsye gjykata konstatoi se nuk mund të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor dhe vendosi që këtë seancë ta shtyj për datë tjetër.