Ramush Haradinaj dëshmitar në rastin ‘veteranët e rrejshëm’

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka miratuar propozimin që Ramush Haradinaj të dëgjohet si dëshmitar në rastin e njohur si “veteranët e rrejshëm”.

Propozimin që Haradinaj të dëgjohet si dëshmitar e ka bërë avokati Arianit Koci, që në këtë rast po e mbron te akuzuarin, deputetin e Kuvendit të Kosovës, Shkumbim Demalija.

“Gjykata e ka parë të arsyeshme, që ky dëshmitar të dëgjohet bazuar dhe në sqarimet e dhëna dhe nga i akuzuari Shkumbin Demalijaj”, tha gjyqtarja Nushe Kukaj Mekaj.

Seanca e radhës u caktua më 21 shkurt.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca gjyqësore në rastin e njohur për publikun “Veteranët”, në të cilin janë të akuzuar disa nga komandantët e UÇK-së si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Rrustem Berisha dhe Shukri Buja. Bashkë me ta akuzohen edhe anëtaret e komisionit për verifikimin e njohjes së statusit të veteranit.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88,769,217.04 euro.

Haradinaj propozohet si dëshmitar në rastin ‘veteranët e rrejshëm’