Foto: Kallxo.com

Pse e ktheu Apeli çështjen e avokatit nga Deçani në pikën zero?

Avokatit nga Deçani, Haxhi Cekajt do t’i duhet të përballet sërish me Gjykatën e Prishtinës nën akuzën për mashtrim.

Çekaj, më 2 dhjetor 2019, ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës me 3 mijë euro gjobë dhe 6 muaj burgim me kusht i cili mund të zëvendësohej me pëlqimin e tij në dënim më gjobë në shumë prej 5 mijë eurosh. Po ashtu Çekajt i’u ndalua edhe ushtrimi i profesionit të avokatit për 1 vit.

Aktgjykim ky i ankimuar nga avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Haxhi Cekaj dhe Prokuroria Speciale bën që Gjykata e Apelit  të merret me këtë lëndë si shkallë e dytë.

Rreth pesë muaj më vonë Gjykata e Apelit,  gjeti se aktgjykimi i shkallës së parë përmbante shkelje esenciale të dispozitave procedurale dhe çështjen e ktheu ne rigjykim.

Apeli pasi shqyrtoi shkresat e lëndës  konstatoi se aktgjykimi dënues i 2 dhjetorit ishte mbështetur në prova të papranueshme dhe në prova të pa administruara në gjykim.

Po ashtu Apeli, gjeti se dispozitivi i aktgjykimit ishte kundërthënës me vet arsyetimin e tij e arsyetimi ishte në kundërshtim me shkresat e lëndës.

Sipas Apelit, Gjykata e Prishtinës vetëm kishte përshkruar normën juridike me të cilën parashihet vepra penale e mashtrimit, sepse nuk kishte arritur të precizonte dhe qartësonte  shumën që i akuzuari kishte përfituar për vete apo për persnoni tjetër dhe sa ishte dëmi që i kishte shkaktuar të dëmtuarës.

Apeli gjeti se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është jo i qartë për faktin se nuk saktëson se i akuzuari  në emër të cilit person zyrtarë të policisë  kishte marrë të hollat  në shumë prej 2 mijë   eurove,  për cilin përfaqësues të palës së dëmtuar kishte marrë shumën prej 5 mijë  eurove, edhe pse nga  arsyetim rezulton se zyrtarë të policisë dhe përfaqësues të palës së dëmtuar gjykata i  ka ndëgjuar në cilësin e  dëshmitarit në këtë çështje penale.

Sipas vendimit të Apelit, shkalla e parë kishte rënë në kundërshtim edhe për sa i përket lartësisë së dëmit që i është shkaktaur të dëmtuarës Mirjeta Imeraj, pasi që e njejëta në kërkesën pasurore juridike kishte përmendur dëmin në shumë prej 43 mijë eurove ndërsa gjykata në aktgjykim ka cekur se të dëmtaurës i është shkaktuar dëm që nuk tejkalon shumën prej 50 mijë euro.

Tutje Apeli gjeti se, gjykata e shkallës së parë nuk kishte administruar në shqyrtimin gjyqësor provën material CD-në për simulimin e veprës penale më urdhëresat për hetimin e fshehtë.

Gjykata e shkallës së pare nuk ka  dhënë asnjë arsye lidhur me vlerësimin e këtyre udhrëresave dhe video-incizimet mbi të cilën e ka bazuar aktgjykimin e ankimuar, gjeti Apeli.

Ndërsa lidhur me ekspertizën e bërë në Tiranë e për të cilën e dëmtuara pretendon se ka paguar 16 mijë euro, Apeli gjeti se gjykata e shkallës së parë kishte dështuar të arsyetonte se si ishte bindur për dëmin që kishte pësuar e dëmtuara nga kjo ekspertizë, nga deklarata e saj apo nga fakti që I akuzauri nuk kishte arritur ta vërtetonte përmes faturës pagesën e kësaj ekspertize.

Tutje Apeli ka gjetur se gjykata e shkallës së parë nuk kishte  dhënë arsye për vërtetimin e faktit vendimtar për shumën prej 40 mijë  euro në emër të trupit gjykues, kjo pasi që nga arsyetimi i aktgjykimit, nuk mund të kuptohet sakt se në cilën urdhëresë e bazon aktgjykimin e ankimuar për këtë fakt vendimtar.

Andaj Apeli udhëzon gjykatën e shkallës së parë që në rigjykim të ftojë për dëgjim eskpertin nga Tirana të deklarohet lidhur me ekspertizën që pretendohet se të dëmtuarës Mirjeta Imeraj i është shkaktuar dëm prej 16 mijë eurosh.

Tutje gjykata e shkallës së parë  duhet të vlerësojë arsyeshmërin  dhe zbatueshmërin e urdhëresës për simulim të veprës penale, të  datës 30 janar 2017,  si dhe pranueshmërin e  provave të siguruar me anë të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, meqenëse Mirjeta Imeraj në këtë urdhëresë është cilësuar si e dyshuar e po ashtu e njejta  ka qenë e përfshirë si dëshmitare bashkëpunuese në këtë simulim të veprës penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Haxhi Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën Mirjeta Imeraj, nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas Prokurorisë , Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B., babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.