Prizren, shtyhet seanca ndaj dy të akuzuarve për vrasje në tentativë
Eni Bytyqi dhe Virtyt Zogaj, të akuzuar për vrasje në tentativë, sot më datë 29.08.2024, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.
Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi mori vendim që të shtyhet seanca, sepse nuk kishte kushte ligjore për të vazhduar me seancë.
Në këtë seancë ishte paraparë që të deklaroheshin dy dëshmitarë, M. S. dhe N. V., por të njëjtit nuk ishin prezentë në sallën e gjykimit.
Aktakuza ndaj dy të pandehurve është ngritur më datë 18.10.2022 nga prokurori Genc Nixha.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Eni Bytyqi më datë 14.07.2022, rreth orës 00:30, në Prizren, me dashje tenton ta privojë nga jeta viktimën Virtyt Zogaj nga Prizreni, në atë mënyrë që, paraprakisht e merr në telefon dhe i kërkon të takohen sy me sy në mënyrë që t’i sqaronte disa hesape të mëhershme mes tyre.
Sipas Prokurorisë ai niset në drejtim të viktimës dhe në momentin që zbret nga automjeti, nxjerrë një pushkë me bajonetë dhe e drejton në drejtim të viktimës.
Me ç’rast ky i fundit i vërsulet të njëjtit duke tentuar t’ia tërheq armën nga dora.
Mirëpo i pandehuri megjithatë arrin të shkrep disa herë me të njëjtën, ku njëra nga predhat e shkrepura arrin t’ia prekë bluzën viktimës si dhe nga veprimi mekanik i mjetit të mprehtë të bajonetës, viktima Virtyt Zogaj pëson lëndime të rënda trupore.
Këso dore pretendohet se i pandehuri Eni Bytyqi ka kryer veprën penale: Vrasja në tentativë.
Dhe ashtu siç përshkruhet më lartë i njëjti më datë, kohë dhe vend të njëjtë ka kryer veprën penale armëmbajtje pa leje.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Virtyt Zogaj në datë, kohë dhe vend të njëjtë të përshkruar si më lartë, me dashje tenton ta privojë nga jeta viktimën Eni Bytyqi nga Prizreni, në atë mënyrë që pasi takohet me të njëjtin në vendin kritik, arrin t`ia heq nga duart armën e zjarrit dhe fillon të përleshen fizikisht me grushte dhe shqelma.
Sipas dosjes në një moment e nxjerrë nga brezi armën e ftoftë (me besueshmëri thikë), me të cilën e godet të njëjtin disa herë në pjesë të ndryshme të trupit (fytyrë, prapa kokës dhe në shpinë) dhe largohet nga vendi i ngjarjes, i cili më pas dorëzohet në polici.
Me ç’rast viktima Eni Bytyqi, pëson lëndime të rënda trupore.
Këso dore i pandehuri Virtyt Zogaj pretendohet se ka kryer veprën penale vrasja në tentativë.