Gjykata Themelore e Prizrenit

Prizren: Paraburgim të dyshuarit se shkaktoi aksidentin me traktor ku vdiq një person

Gjykata e Prizrenit ka njoftuar se lidhur me aksidentin  e 11 shtatorit që përfundoi me vdekjen e një personi dhe lëndime trupore për dy të tjerë, ka vendosur masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit se shkaktoi aksidentin.

Të pandehurit S.T., nga fshati Piranë, i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm që rezultoi me vdekjen e një personi.

Ai do të qëndrojë në paraburgim deri më 10 tetor 2020.

Gjykata gjeti se ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit duke marrë parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, rrezikshmërinë e saj si dhe ndikimin në opinionin publik.

Gjykata gjeti se i pandehuri ditën kritike pasi që ishte duke lëvizur në rrugë me automjet bujqësor (traktor IMT 539) nuk kishte ndërmarrë masat për ndriçimin e automjetit e si rezultat kishte goditur veturën e tipit Mercedes.

Sipas Gjykatës, pas goditjes të marrë nga traktori, vetura Mercedes të cilën e voziste i ndjeri B.G., kishte kaluar në anën tjetër të rrugës ku ishte goditur nga një kamion i tipit Mercedes e që rezultoi me vdekjen në vend të viktimës B.G.

Ndërsa vozitësit të kamionit i ishin shkaktuar lëndime të rënda trupore, e pasagjerit të kamionit lëndime të lehta trupore.