Ilustrim

Prishtinë: Gjashtë muaj burgim për publikimin e statuseve në Facebook

Gjashtë muaj burgim do i  mbajë Berat Qamili për postimet e tij në Facebook gjatë 2017-tës.

I akuzuari pretendohet se përmes rrjetit social “facebook” me anë të postimeve të xhirimeve audio-vizuele dhe fotografive, ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”.

Në seancën e kaluar të mbajtur me 27 korrik, Berati me lot në sy kishte pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohej duke shprehur pendim.

“Kam gabuar, e ndjej vetën fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohem” kishte thënë ai.

Gjyqtarja e rastit, Albina Shabani Rama, tha se gjatë marrjes së vendimit ka marr parasysh edhe pranimin e fajësisë, pendimin e tij si dhe sjelljen e tij pas kryerjes së kësaj vepre penale dhe prandaj ka konsideruar se edhe me minimumin e dënimit, prej 6 muajsh, do të arrihet qëllimi i dënimit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë më 17 janar 2018 ndaj Berat Qamilit.

Sipas aktakuzës i akuzuari Berat Qamili ka përkrahur haptazi veprimet terroriste të organizatës “ISIS”. Tutje sipas aktakuzës ai kishte shpërndarë fotografi të ushtarit të “ISIS”-it , si dhe postimin me përmbajtje “qofshin të poshtëruar kush do që ngrit këto sorra mbi shtëpitë e tyre”, ku është shtiza me flamurin kombëtar.

Më pas me punën operative të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës me datën 20.12.2017, Qamili është arrestuar.

Aktakuza Qamilin e ngarkon me veprën penale bashkimi ose pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj.

Kallxo.com ka raportuar edhe për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

https://kallxo.com/ligji/gjykata/e-tradhtojne-lotet-te-akuzuarin-qe-pranoi-fajin-per-terrorizem/