Pse politika e kontrollon gjyqësorin duke përdorur policinë e buxhetin

Rritja e pagave për prokurorë e gjykatës nuk do të sjellë rezultate më të mira në drejtësi, por dyfishimi i këtij stafi dhe angazhimi i ekspertëve financiarë ka gjasa të shpaguhet. Plus, disa nga ligjet që duhet të përmirësohen prej mandatarëve të ardhshëm.

Kushdo që të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, duhet t’u japë zgjidhje një varg të çështjeve kruciale që rregullojnë sistemin e drejtësisë në vend.

Ministra, deputetë e kryetarë të komunave janë akuzuar nga Prokuroria e Shtetit për vepra të ndryshme penale që dyshohet që kanë bërë ata. U ngritën aktakuza për korrupsion e  u konstatuan dëmtimet financiare. Por, në fund, pothuajse të gjithë u liruan. Afera të tjera vazhdojnë të dalin çdo ditë, por mbetet frika se historia do të përsëritet e të akuzuarit do të lirohen.

Edhe në pak raste kur kemi dënime, lartësia e dënimit është qesharake. E dënimet e ulëta për politikanë përcillen me kërkim falje nga gjyqtari që shpall aktgjykimin dënues.

Deri më tani kemi dështuar plotësisht të godasim krimin përmes konfiskimit të përhershëm të pasurisë.

Hetimin dhe ndjekjen e mijëra rasteve të krimeve të luftës synojmë ta bëjmë me 3 prokurorë. E persona që do të duhej të ishin në paraburgim apo vuajtje të dënimit kryejnë vrasje e dhunime.

Politika thotë se nuk bën presion në sistemin e drejtësisë, ndërsa kryeministri e quan “hajn të pulave”, prokurorin e arratisur që po hetonte veteranët e rrejshëm.

Rastet e korrupsionit vjetërsohen në sirtarë të gjykatave, madje edhe ato të shënjestruara për liberalizim të vizave. Në krejt këtë situatë, kemi ministra që rrahin gjoks për suksese në drejtësi.

Ata që pretendojnë që u janë shkelur të drejtat e punës dhe gratë që kërkojnë të drejtën e tyre në pronë  duhet të presin me dekada për të realizuar të drejtat e tyre. Gratë që lajmërojnë në prokurori për ngacmime seksuale quhen të poshtra nga ata që do të duhej të hetonin dhe të vinin para drejtësisë shkelësit.

Në krejt këtë lëmsh, në dy vitet e fundit nuk kemi asnjë gjyqtar dhe prokuror që është vlerësuar “dobët” apo “pamjaftueshëm” në performancë, krejt janë vlerësuar me: Mirë, Shumë Mirë e Shkëlqyeshëm. Pra, ky sistem është jo vetëm i kapur, por i kalbur!

Këtij sistemi të drejtësisë të kalbur, një qeveri e ardshme duhet t’ia japë një infuzion të menjëhershëm dhe kujdes intensiv afatgjatë, e krejt kjo, me qëllimin e vetëm që kështu të ruhet vetë esenca e shtetësisë.

Secili nga deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës, Kryeministri dhe secili nga ministrat, (në veçanti Ministri i Drejtësisë), duhet të angazhohen maksimalisht që të korrigjojnë, avancojnë, dhe përmirësojnë infrastrukturën ligjore të cilën e zbatojnë policia, prokuroria dhe gjykatat e vendit ndërsa përkrahja buxhetore për sistemin e drejtësisë duhet të jetë e pakursyer dhe e palëkundur.

Në vijim do të pasqyrojmë sfidat kryesore me të cilat sprovohet drejtësia kosovare dhe hapat që duhet të ndërmerren nga ata që dalin prej zgjedhjeve të 6 tetorit.

Buxheti për drejtësi i (pa)aprovuar

Jo gjithçka do të mund të ndreqet prej një qeverie e parlamenti të ardhshëm sa i përket sistemit të drejtësisë, por ja disa prej masave që duhet të ndërmerren prej mandatarëve të ardhshëm e të cilat presim t’i shohim të reflektuara në programet partiake.

Kushdo që do të ketë përgjegjësinë të udhëheqë me drejtojë me institucionet e vendit, domosdoshmërish duhet të rrisë mbështetjen financiare për sistemin e drejtësisë dhe  duhet të përmirësojë  ndjeshëm infrastrukturën ligjore.

Argumenti i parë  dhe më i “fortë” i  secilit nga pushteti dhe politika është se “i kemi rritur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, dhe përmes kësaj pretendohet të provohet se sistemit të drejtësisë i është ofruar mbështetja financiare e nevojshme, mirëpo kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

E vërteta është se Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, në tri vitet e fundi i janë ndarë gati 18 milionë euro më pak sesa kanë kërkuar.

Mjaftueshmëria dhe stabiliteti financiar i Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, janë parakushti themelor nga i cili kushtëzohet i tërë sistemi i drejtësisë.

Përderisa secili ministër ka një ushtri këshilltarësh, përderisa qeveria e fundit në vend kishte rreth 80 zëvendës-ministra, secili nga gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës ende nuk e ka një bashkëpunëtor profesional, e aq më pak, ekspert financiar apo të ndonjë lëmie tjetër.

Përkundër se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet respektive të Këshillave, pavarësia financiare e KGjK-së dhe KPK-së nuk do të duhej as të diskutohej, në praktikë rezulton se ende propozimet për buxhet të KGjK-së dhe KPK-së, kalojnë përmes Ministrisë së Financave drejt Kuvendit të Kosovës, dhe se kërkesat buxhetore të Këshillave nuk  përmbushen.

Pra nëse një qeveri nuk e aprovon buxhetin e një shtylle tjetër të pavarur, normal që ne do të konkludojmë që ajo qeveri nuk ka interes të shohë implementim të plotë të drejtësisë. Kështu do ta vlerësojmë edhe një qeveri të ardhshme.

Gjatë vitit 2018, në Kosovë kanë zgjidhur lëndë 389 gjyqtarë me 1478 staf mbështetës ndërsa vitin 2019 gjykatat e vendit e kanë filluar me mbi 222 mijë lëndë të pazgjidhura.

Situata më kritike është në Gjykatën e Apelit ku janë rreth 12 mijë lëndë të pazgjidhura, kryesisht të natyrës civile ndërsa alarmante është se ende ka lëndë të pazgjidhura të vitit 2014.

Aktualisht, secili nga 28 gjyqtarët e Gjykatës së Apelit që shqyrtojnë lëndët civile është i ngarkuar me minimalisht 700 lëndë. Gjykata e Apelit i ka gjithsej 51 gjykatës.

Kjo e dhënë qartazi pasqyron pamjaftueshmërinë e instancës së dytë të drejtësisë për t’i dhënë përgjigje kërkesës së qytetarëve për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

Sikur Këshillit Gjyqësor të Kosovës t’i ndahej buxheti i kërkuar do të ishte e mjaftueshme ta dyfishonte ne tërësi numrin e gjyqtarëve që merren me çështje civile.

Më konkretisht, 28 gjyqtarë të rinj në Gjykatën e Apelit,  do t’i kushtonin buxhetit të Kosovës vetëm rreth 1 milion euro në vit e problemet që do t’i zgjidhnin këta gjyqtarë do të ishin të mëdha sepse do të përgjysmonin numrin e lëndëve, do të përgjysmonin kohëzgjatjen e pritjes për qytetarë për shkak të një llogaritje të thjesht matematikore.

Gjendje jo e mirë sikurse në Gjykatën e Apelit, mbretëron edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në të cilin viti 2018 filloi me mbi 70 mijë lëndë të pazgjidhura.

Në vitet 2017, 2018 dhe 2019, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pranuar një buxhet rreth 10 milionë euro më pak sesa ka kërkuar.

Për vitin 2017, KGjK ka kërkuar 27 milionë euro ndërsa i janë ndarë rreth 22 milionë, në vitin 2018 janë kërkuar rreth 25 milionë euro ndërsa janë ndarë 23 milionë e gjysmë, në vitin aktual janë kërkuar 33 milionë euro ndërsa janë ndarë vetëm 29 milionë e gjysmë.

Shumica e mjeteve të kërkuara nga KGjK e që nuk janë aprovuar parashiheshin për paga dhe pozita të reja në KGjK.

Më e rëndë duket gjendja në anën tjetër të medaljes së drejtësisë, në Prokurorinë e Shtetit.

Përderisa numri i prokurorëve është i mjaftueshëm, 197 prokurorë, numri i bashkëpunëtorëve profesionalë është vetëm 58 ndërsa në krejt Prokurorinë e Shtetit janë të angazhuar vetëm 6 ekspertë financiarë.

Vetëm 6 ekspertë financiarë duhet të japin ekspertizën e tyre për 197 prokurorë, e gojën e kemi plot “luftë kundër korrupsionit”. Absurde! Ky numër kaq i vogël i ekspertëve financiarë jo vetëm që nuk janë të mjaftueshëm për të 197 prokurorët e vendit, por nuk mjaftojnë as për Prokurorinë Speciale ku aktualisht janë 15 prokurorë që kryesisht merren me korrupsionin e nivelit të lartë.

Nevoja për aktakuza të hetuara dhe provuara mirë dhe të mbështetura me ekspertiza është emergjente. Sikur numri i ekspertëve të shtohej nga 6 në 50, kjo nuk do t’i kushtonte buxhetit të vendit më shumë se 1 milion e gjysmë euro, edhe këtë me ekspertë që do të paguheshin rreth 2 mijë euro në muaj.

Në tri vitet e fundit, KPK-së i janë ndarë rreth 6 milionë euro më pak se që ka kërkuar.

Në vitin 2017, KPK ka kërkuar gati 13 milionë euro, ndërsa i janë ndarë vetëm pak më shumë se 9 milionë euro, në vitin 2018, KPK ka kërkuar gati 14 milionë euro ndërsa i janë ndarë 12 milionë euro, në vitin 2019, KPK ka kërkuar rreth 16 milionë euro ndërsa i janë ndarë gati 1 milion e gjysmë më pak.

Pra përkundër që ka pasur rritje të vazhdueshme të buxhetit të ndarë për Këshillit, asnjëherë Këshillave nuk u është ndarë buxheti i planifikuar dhe i kërkuar.

Duke i pasur parasysh këto të dhëna, është lehtësisht e dallueshme se gjyqësorit dhe prokurorisë nuk u janë përmbushur nevojat e tyre. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve është i mjaftueshëm por numri i stafit mbështetës është qartazi i pamjaftueshëm dhe rrjedhimisht, prokurorët janë pa staf mbështetës, pa ekspertë e bashkëpunëtorë profesionalë, e kjo në mënyrë direkte cenon dhe kushtëzon cilësinë e hetimeve që i bëjnë këta prokurorë.

Nga praktika e deritanishme e buxhetimit të sistemit të drejtësisë rezulton se përkundër që pavarësia financiare e sistemit gjyqësor dhe prokurorial është e garantuar, për t’u realizuar kjo në praktikë, duhet edhe vullneti politik, e ky vullnet nuk matet me fjalë, por me vepra. Me vepra, politika është siguruar që ta cungojë sistemin e drejtësisë, e jo ta forcojë.

Përmirësimi i infrastrukturës ligjore

Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi Civil ende nuk kanë arritur të ndryshohen, ndërsa ligjet tjera të miratuara ndonëse janë një hap para, kanë nevoja të mëtejshme për përmirësim.

Kodi Penal, Ligji për Gjykatat, Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, janë disa prej ligjeve bazike të cilat pësuan ndryshime cilësore gjatë vitit të kaluar, megjithatë, për të bërë kapërcimin e madh në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar,  disa prej këtyre ligjeve duhet të përmirësohen e disa të tjera duhet të nxirren të reja në tërësi.

Me Kodin e ri Penal u zgjat afati i parashkrimit, u parapanë vepra të reja si mashtrimi në prokurim, e vepra penale ndaj atyre që u hakmerren sinjalizuesve, e me e rëndësishmja u ashpërsuan dënimet, mirëpo për të realizuar në praktikë këtë Kod, duhet edhe Kodi i Procedurës Penale.

Gati dy vjet punë e grupeve punuese të formuara në Ministrinë e Drejtësisë, nuk arriti deri në Kuvendin e Kosovës meqë shpërbërja e Kuvendit e riktheu në pikën fillestare këtë Kod.

Disa prej ndryshimeve esenciale që ky Kod duhet t’i sjellë janë:

  • Hetuesia duhet t’i përgjigjet vetëm Prokurorisë

Nga 207 raste të korrupsionit të zgjidhura në gjykatat e vendit në vitin 2018, vetëm në 22 prej tyre apo kthyer në përqindje, vetëm 11 %, rezultuan me aktgjykim me dënim me burg efektiv ndërsa 81 raste apo gati 40 % kishte aktgjykime liruese dhe refuzuese.

Kjo e dhënë kaq alarmante rezulton pikërisht në vitin kur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve u rritën por me t’u rritur pagat nuk u rritën dënimet për raste të korrupsionit apo nuk u rrit kualiteti i hetimeve në këto raste. Si duket mungesa e kurrizit dhe guximit nuk po mund të kompensohet me rritje të pagave. Është pak ironike që rritja e rrogave për gjyqtarë e prokuror erdhi si rezultat i vendimit me të cilën kryeministri dhe ministrat ia rritën pagën vetes ndërsa rritja për gjyqtarët e prokurorët erdhi “vetëm në krah” të rritjes që politikanët i bënë pagave të tyre. Pra, sistemi i politikës e i drejtësisë në njëfarë mënyre pati konsensus si ta zhvasin taksapaguesin por shërbimi mbeti i njëjti si gjithmonë me dënime të paguximshme dhe lëndë të zvarritura.

E dhëna kaq shqetësuese se vetëm 10 % e aktakuzave të korrupsionit përfundojnë me aktgjykime me dënime me burg efektiv, në radhë të parë pasqyron cilësinë jo të mirë të aktakuzave, e kjo sigurisht që pasqyron mungesën e cilësisë së hetimeve penale, që në rastet e korrupsionit kërkohet hetim penal i detajuar, i mbështetur me ekspertiza financiare, hetim me masa të fshehta te zbulimit dhe vëzhgimit.

Kësisoj, në njërën anë kemi mungesë të ekspertëve financiarë që në gjithë Prokurorinë e Shtetit janë vetëm 6, në anën tjetër nuk kemi hetime cilësore dhe zbatim të shpeshtë të masave të fshehta teknike në rastet e korrupsionit.

Përderisa pengesa e ekspertëve financiarë mund t’i atribuohet mungesës së buxhetit, pengesa e dytë rezulton të jetë më e komplikuar, sidomos gjatë zbatimit në praktikë.

Prokurori i Shtetit është udhëheqës i hetimit në Republikën e Kosovës, mirëpo asnjë dokument nuk mund të kalojë nga Policia te prokurori i një rasti pa u nënshkruar nga eprori i hetuesit i cili kryen veprimin hetimor të urdhëruar nga Prokurori.

Kësisoj, çdo veprim hetimor, duke përfshirë edhe masat e fshehta teknike që zbatohen në hetim, rrezikon të dekonspirohet dhe kësisoj të cenohet fshehtësia e hetimit dhe të kontaminohet hetimi qysh në rrënjë duke rezultuar pastaj me aktgjykim lirues apo refuzues.

Duke e ditur se strukturat udhëheqëse të Policisë zgjidhen nga komisione të themeluara nga Ministri i Punëve të Brendshme, ekziston një rrezik i drejtpërdrejtë që për zhvillimin e një hetimi të informohet apo alarmohet edhe personi ndaj të cilit zhvillohet hetimi apo aplikohen masat e fshehta.

Partitë politike që synojë pushtetin duhet të ofrojnë alternativat e tyre përmes së cilave dëshmojnë se hetuesinë duan t’ia lënë Prokurorisë e jo ta mbajnë për vete.

Prokurorin duhet ta pajisim me hetues që i raportojnë vetëm atij, me bashkëpunëtor profesional, me ekspertë – në veçanti ekspertë financiarë dhe kësisoj, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikojmë në rritjen e cilësisë së hetimit.

  • Supremja të kthejë në rigjykim edhe rastet kur është gabuar në favor të akuzuarve

Vetëm gjatë këtij viti, shkalla e tretë e Drejtësisë ka gjetur më shumë se 6 rastet në të cilat ka konstatuar se lirimi nga akuza i një ish-kryetari të Komunës, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe ish-shefit të Krimeve Ekonomike të Kosovës është bërë me shkelje ligjore të cilat i kanë bërë gjykatat themelore dhe ajo e Apelit.

Supremja qartazi ka gjetur se gjyqtarët e themelores dhe Apelit kanë gabuar, duke favorizuar kështu të akuzuarit.

Me Kodin aktual të Procedurës Penale, krejt çfarë Supremja mund të bëjë është që të konstatojë shkeljen dhe asgjë tjetër.

Kodi i ri i Procedurës Penale, duhet patjetër të ofrojë zgjidhje për këtë situatë dhe duhet të mundësojë që Gjykata Supreme edhe në rastet kur konstaton se ka shkelje tëligjit në favor të pandehurve, ta kthejë rastin në rigjykim.

Po ashtu, gjyqtarët që kanë gabuar në rastet e tillë, drejtpërdrejtë duhet të përfundojnë në vlerësim të performancës së tyre.

  • Suspendimi i zyrtarëve me aktakuza

Aktualisht, nuk janë të pakta rastet kur personat e akuzuar e madje edhe të dënuar, vazhdojnë punën e tyre në institucionin ku kanë qenë duke punuar, duke pritur një aktgjykim të formës së prerë, duke qenë afër vendit ku prokurori pretendon se kanë kryer veprën penale dhe shpeshherë duke pasur në afërsi dëshmitarët potencial të rastit.

Kohëve të fundit, Prokurorët janë duke tentuar që përmes kërkesave për masë “ndalim i afrimit vendit apo personit të caktuar”, të pamundësojnë që personat që janë duke u hetuar të kenë qasje në objektet dhe njerëzit me të cilit kanë punuar dhe tek të cilët potencialisht mund të ndikojnë apo provat që mund t’i kontaminojnë apo shkatërrojnë.

Këto kërkesa të prokurorëve po përdoren si alternativë për atë që do të duhej të ndodhte, suspendimin e zyrtarit të dyshuar apo akuzuar. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale është i domosdoshëm në këtë drejtim.

Ky ndryshim veçse është propozuar me draft Kodin i cili arriti deri në Kuvendin e Kosovës dhe si i tillë duhet të jetë pjesë esenciale edhe e Kodit të ardhshëm.

  • Publiciteti i aktakuzave

Me Kodin aktual të Procedurës Penale, aktakuza është dokument publik mirëpo në praktikë, në vazhdimësi gjykatat dhe prokurorët hezitojnë t’u lejojnë qasje mediave dhe shoqërisë civile, në veçanti në aktakuzat e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kodi i ri i Procedurës Penale, duhet patjetër që të parashoh se aktakuzat janë publike dhe të qasshme, nga momenti i dorëzimit të tyre në gjykatë dhe se gjykata duhet të zbatojë dhe njoh qasjen e publikut në aktakuza, sigurisht duke u kujdesur për mbulimin e të dhënave për të cilat Kodi se nuk mund t’u publikohen palëve.

Ministri i ardhshëm i Drejtësisë, Ministri kjo që e ka iniciuar Kodin e ri të Procedurës Penale dhe deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës që do të votojnë këtë Kod, dhe ata deputetët që do të marrin pjesë në grupet punuese për këtë Kod,  duhet të përcaktojnë se aktakuzat duhet të jenë publike dhe të qasshme për publikun.

Informatat që i kemi ne thonë që shumë deputet të mandatit të kaluar kanë qenë kundër kësaj transparence, e tash po presim që partitë të deklarohen qartazi në programet e tyre se a janë a s’janë për t’i bërë aktakuzat publike prej momentit që dorëzohen në gjykatë, praktikë kjo që e ka zbatuar EULEX për rastet e tyre.

Ligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë ka probleme që duhen korrigjuar.

Duhet të hiqet afati kufizues ku pasuria e fituar për shembull para 11 viteve e më tutje që nga koha e nisjes së hetimeve nuk mund të jetë subjekt i konfiskimit edhe nëse plotësohen të gjitha kushtet tjera. Një kufizim i tillë në kohë është një mangësi serioze e cila në fakt i humbë kuptimin vetë zbatimit të ligjit.

Akoma më shqetësuese është kufizimi tjetër që parasheh ligji; kufizimin pesëvjeçar pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas përcaktimeve të ligjit secili i pandehur që mund të fshehë pasurisë përtej periudhës pesë vjeçare pas plotfuqishmërisë së dënimit, ajo pasuri pas kalimit të afatit pesëvjeçar nuk do të mund të kërkohet për t’u konfiskuar.

Këto kufizime të afateve e kufizojnë në mënyrë drastike periudhën brenda së cilës mund të konfiskohet pasuria dhe rrjedhimisht e pengojnë luftimin e krimit përmes konfiskimit të pasurisë.

– Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve

Gjatë këtij viti, Zyra e Prokurorit Disiplinor u shpërbë plotësisht ndërsa me Ligjin e ri, funksioni i pranimit të ankesave ndaj sjelljeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve  u bart tek autoritetet përgjegjëse, kryeprokurorët  dhe kryetarët e gjykatave.

Në lidhje me këtë Ligj, këshillat respektiv kanë nxjerrë rregulloret përkatëse dhe kanë filluar publikimin e vendimeve përfundimtare disiplinore, mirëpo këtë publikim janë duke e bërë në mënyrë rreptësishtë duke e ruajtur identitetin e gjyqtarit apo prokurorit. Mandatarët e ardhshëm duhet të insistojnë që të ndërrohet kjo pjesë e ligjit dhe të obligohen autoritetet gjyqësore që t’i publikojnë me emra e mbiemra vendimet ndaj krejt atyre që ka pasur vendim të prerë disiplinor në gjykata e prokurori.

Ilustrimi: Marthaposempuckel/Pixabay

 Agjencioni Anti-Korrupcion

Deputetët dhe Ministri i Ardhshëm i Drejtësisë duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë forcimit të kapaciteteve ekzistuese të Agjencisë Kundër Korrupsion dhe përmes ndryshimeve ligjore duhet të rrisin kompetencat e kësaj Agjencie, sidomos në drejtim të verifikimit të prejardhjes së pasurisë por edhe të zgjerimit të listës aktuale të zyrtarëve që obligohen të deklarojnë pasurinë duke përfshirë edhe kategori të tjera të rëndësishme të zyrtarëve, siç janë inspektorët në nivel qendror e lokal, doganierët, profesorët, etj.

  • Hetimi dhe luftimi i krimeve të luftës

Vënia para drejtësisë e atyre që kryen krime të luftës në luftën e vitit 1998-99 në Kosovë është parakusht që pajtimi ndëretnik në Kosovë të jetë shumë më lehtë i realizueshëm.

Familjarët e personave të vrarë gjatë kësaj lufte, do përjetojnë një kompensim shpirtëror vetëm duke parë se ata që ju vranë më të afërmit po marrim dënimin e merituar.

Fatkeqësisht, në 20 vite të pasluftës nuk kemi parë që kjo ka ndodhur. UNMIK e EULEX kanë bërë përpjekje dhe kanë ngritur aktakuza për krime të luftës por të cilat në masë të madhe kanë dështuar të provohen në gjykatë ndërsa nga viti 2014, kompetenca e hetimit të këtyre krimeve i është bartur Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Një prej risive të cilin e ka sjellë Draft Kodi i Procedurës Penale, ishte edhe gjykimi në mungesë dhe atë jo vetëm për krimet e luftës por nën kushte të caktuara edhe për të gjitha llojet e veprave tjera.

Një ndryshim i tillë, është esencial që të përfshihet edhe në Draft Kodin e ri të Procedurës Penale dhe kësisoj përpos që do të mundësohej ndjekja e krimeve të luftës, do të mundësohej të evitoheshin mungesat e shkaktuara nga mungesa e palëve në procedurë dhe kësisoj do të rritej efikasitetit i procedurës e mbase do të shmangej edhe vjetërsimi i lëndëve.

Se a ka qenë i vërtetë qëllimi për hetimin e këtyre krimeve, tregon numri i prokurorëve të angazhuar për hetimin e këtyre krimeve.

Për ndjekjen dhe hetimin e qindra rasteve të krimeve të luftës, më së shumti ndonjëherë, janë angazhuar 3 prokurorë.

Në shtetin që ka 70 zëvendësministra, ka vetëm 3 prokurorë që duhet të zbardhin vrasjet  e mbi 14 mijë civilëve gjatë luftës.

Vetëm në korrik të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar plotësim ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, me të cilin mundësohet gjykimi në mungesë i atyre që janë të paarritshëm për drejtësisë kosovare.

Nëse vërtetë duam ta intensifikojmë hetimin e krimeve të luftës, Kosova duhet të paktën të ketë përgjysmë prokurorë që hetojnë krimet e luftës në krahasim me numrin e zëvendës ministrave në qeverinë e fundit dhe po ashtu gjysmën e numrit të këshilltarëve si ekspertë dhe bashkëpunëtorë profesional.

Minimalisht, për t’u konsideruar një përpjekje dinjitoze për hetimin e krimeve të luftës, numri aktual do të duhej të pesëfishohej e kjo nuk do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës më shumë se gjysmë milioni euro në vit.

  • Të drejtat e pronës dhe të drejtat nga marrëdhënia e punës

Kanë kaluar më shumë se 4 vjet qëkur me pompozitet të madh u paraqit para mediave inicimi i hartimit të Kodit Civil të vendit.

Ky dokument kaq i rëndësishëm për marrëdhëniet civilo-juridike në vend, ende nuk ka arritur në Kuvendin e Kosovës edhe pse deri tani janë shpenzuar miliona euro për hartimin e tij.

Kodi në momentin e dorëheqjes së qeverisë aktuale ishte në Ministri të Drejtësisë duke pritur që të aprovohej në mbledhjen e qeverisë.

Aktualisht, në Kosovë vetëm rreth 16 % e pronave të paluajtshme janë të regjistruar në emër të grave ndërsa numri është dukshëm më i vogël i grave që trashëgojnë pronë.

Kodi Civil që në vetvete përfshin pjesën e të drejtës trashëgimore dhe atë të familjes, është instrumenti ideal për krijimin e kushteve të barabarta që gratë të trashëgojnë pronë.

Përveç bazës ligjore, rastet gjyqësore ku gratë kanë marrë guximin dhe kanë pasur kurajën të kërkojnë të drejtat e tyre pronësore, në gjykatat e vendit marrin deri 10 vjet kohë për të marrë epilog. Nëse partitë politike e kanë seriozisht angazhimin për të mbrojtur gratë edhe nga dhuna edhe nga padrejtësitë shekullore ndaj tyre, le ta dedikojnë një burgjet për gjykatës e prokurorë që do të merren enkas me këto raste të tyre, që të mos presin rreth një dekadë për t’u zgjidhur në gjykatë.

Sikur elaboruam më lartë, me shtimin e numri të gjyqtarëve të Apelit, kohëzgjatja e pritjes së palëve në këtë gjykatë do të shkurtohej në mënyrë drastike.

Në Kosovë në vitin 2018 janë shënuar 14 raste të vdekjeve në vendin e punës ndërsa gjashtë gjysmës së këtij viti janë shënuar 5 raste në vendin e punës që kanë përfunduar me fatalitet.

Kontributi familjar në pasurinë e përbashkët – Foto: KALLXO.com

Kjo është një indikacion i qartë për kushtet e papërshtatshme në vendin e punës, e kësaj i shtohet edhe mos-respektimi i të drejtave tjera nga marrëdhënia e punës, mungesa dhe mos zbatimi i kontratave të punës.

Krejt kësaj, duke i shtuar edhe faktin se një punëtor që kërkon mbrojtje gjyqësore për të realizuar të drejtën e tij duhet të pres me vite, atëherë nuk duhet të na habis ikja e të rinjve nga vendi.

Themelimi i departamentit të marrëdhënieve të punës në gjykatat themelore të vendit, është  domosdoshmëri.

Për fund, jemi dëshmitarë sesi qeveria e vendit detyrohet të paguaj mbi 53 milion euro të taksapaguesve, si gjobë ndaj një kompanie e cila tashmë ka arkëtuar shuma miliardëshe për ndërtimin e autostradave të vendit.

Jemi dëshmitarë të aferave të panumërta korruptive që lënë pas aktgjykime liruese ose në rastin më të mirë dënime qesharake.

Jemi dëshmitarë se të drejtat e punëtorëve shkelen për ditë e grave u mohohet e drejta në trashëgim e pronë e gjykimet zgjasin përtej dekadës.

Jemi dëshmitarë mungesës së shërbimeve mjekësore, ose trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor.

Jemi dëshmitarë se mijëra veteranë të rrejshëm përfitojnë kundërligjshëm dhe rëndojnë buxhetin e shtetit.

E në anën tjetër, kemi gjyqtarë, prokurorë e staf mbështetës të pamjaftueshëm, kemi buxhet të pamjaftueshëm për sistemin e drejtësisë, kemi vetëm 6 ekspertë financiarë që duhet të përgatisin ekspertiza financiare për të mbështetur aktakuzat e prokurorisë në vendin me mbi 70 zëvendës ministra.

Në vendin me gati 60 mijë veteranë të luftës që marrin pensione, kemi buxhet për vetëm 3 prokurorë që të hetojnë mijëra raste të krimeve të luftës të kryera nga Serbia.

Krejt kjo na alarmon se për secilin nga deputetët dhe ministrat e ardhshëm, për kryeministrin apo kryeministren e ardhshme, fuqizimi i (i vërtetë)  drejtësisë duhet të jetë angazhimi primar dhe më i rëndësishëm.

 Labinot Leposhtica është autor i raportit vjetor të monitorimit të drejtësisë, raportit për rastet e shënjestruara për viza dhe udhëheqës i ekipit të mbi 10 monitoruesve të gjykatave në teren. Merr pjesë në menaxhim projektesh të drejtësisë në BIRN.

 Shënim: Artikulli është pjesë e serisë së analizave që ofrojnë zgjidhje për problemet më të mëdha të Kosovës që presim t’i shohim në programe politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto analiza shkruhen nga ekipi ynë i ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm që kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune në teren në fushën për të cilën po shkruajnë. Nëse ka njerëz tjerë me ide për zgjidhje të problemeve, e që janë jashtë partive, po i ftojmë të na shkruajnë analiza të ngjashme në ditët në vijim. Po e botojmë këtë seri me qëllim që të ushqejmë programet e partitë politike me ide për zgjidhje të problemeve. Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë më shumë se zhurmë, huti dhe prognoza koti prej shoqërisë civile e mediave, andaj po ofrojmë ide për gjithë ata që e kanë seriozisht garimin në këto zgjedhje me program. Me këto analiza nuk po e luajmë vetëm rolin e kritikut dhe përshkruesve të mirë të problemeve, por, nëse lexoni deri në fund, do të shihni sugjerime për zgjidhje të problemeve. Të gjitha idetë janë të hapura për t’u inkorporuar në programe të partive politike dhe për t’u përdorur nga qytetarë e gazetarë për të zhvilluar debate substanciale gjatë zgjedhjeve.