Politika nuk ia miraton kërkesën për buxhet shtesë gjyqësorit

Gjyqësori edhe këtë vit do të ketë më pak buxhet se sa nevojat. Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë këtij viti kishte kërkuar 35 milionë euro, për menaxhimin e duhur të Gjyqësorit, por në buxhetin e miratuar për vitin 2020 i janë ndarë vetëm 29.8 milionë euro.

Sistemit Gjyqësor do t’i kenë 5.6 milionë euro më pak se sa kanë qenë kërkesa nga KGJK-ja. Me këto mjete të kërkuara, KGJK-ja, ndërë të tjera, kishte planifikuar t’i punësojë edhe 170 zyrtarë të ri.

Pas kërkesës së KALLXO.com, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se përpos që nuk i janë aprovuar 170 vende pune shtesë atyre u janë larguar edhe 168 pozita të cilat kanë qenë të parapara në vitin 2019.

“Me ketë ndarje, KGjK-së,  jo vetëm që nuk i janë aprovuar 170 pozita shtesë të kërkuara,  por i janë shkurtuar 168 pozita nga viti 2019. Në vitin 2019, KGjK-ja ka pasur gjithsej,  2,281 pozita të aprovuara, ndërsa me buxhetin e vitit 2020,  ka gjithsej 2,113 pozita të aprovuara”, njofton KGJK.

Të pyetur se pse nuk janë plotësuar këto 168 pozita gjatë vitit 2019, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se ka pasur mangësi buxhetore dhe se pezullimi i ligjit mbi zyrtarët publik ia ka pamundësuar.

“Në vitin 2019,  përkundër se ka pasur të lejuara pozita me ligjin e buxhetit,  nuk është lejuar buxhet për to. Pra, si pozita kanë qenë të lejuara por kemi pas mangësi buxhetore. Në vitin 2019 një ndër pengesat tjera kanë qenë edhe ndryshimet ligjore, si hyrja e Ligjit te ri, pezullimi i përkohshëm i ligjit të ri sipas vendimit të Gjykatës Kushtetues”, thuhet në një përgjigje të KGjK-së.

Mos aprovimi i plotë i kërkesave buxhetore të Këshillit Gjyqësor ka ndodhur edhe gjatë qeverisjeve të kaluara.

Në vitet 2017, 2018 dhe 2019, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pranuar një buxhet rreth 10 milionë euro më pak sesa ka kërkuar.

Për vitin 2017, KGjK ka kërkuar 27 milionë euro ndërsa i janë ndarë rreth 22 milionë, në vitin 2018 janë kërkuar rreth 25 milionë euro ndërsa janë ndarë 23 milionë e gjysmë. Kurse në vitin 2019 janë kërkuar 33 milionë euro, ndërsa janë ndarë vetëm 29 milionë e gjysmë.

Shumica e mjeteve të kërkuara nga KGjK e që nuk janë aprovuar parashiheshin për paga dhe pozita të reja në KGjK.

Përkundër se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet respektive të Këshillave, pavarësia financiare e KGjK-së dhe KPK-së nuk do të duhej as të diskutohej, në praktikë rezulton se ende propozimet për buxhet të KGjK-së dhe KPK-së, kalojnë përmes Ministrisë së Financave drejt Kuvendit të Kosovës, dhe se kërkesat buxhetore të Këshillave nuk  përmbushen.