Ilustrim

Paraburgim të dyshuarit se kërcënoi me fjalët: Unë jam egjeli yt, të mbys me thikë

Gjykata e Prizrenit i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit për dhunë dhe kërcënim me inicialet F.B nga Prizreni.

Vendimi është marrur pas kërkesës së Prokurorisë në Gjykatën e Prizrenit, për veprën penale të dhunës në familje.

Kjo masë, sipas gjykatësit të procedurës paraprake, Gani Kastrati do të jetë deri më datën 25 shkurt 2021, për shkak se janë plotësuar të gjitha arsyet ligjore.

Në njoftimin e gjykatës së Prizrenit, thuhet se duke marrë parasysh peshën e veprës penale dhe rrethanat, ekziston dyshimi se i pandehuri F.B., në mënyrë të vazhdueshme i ka shkaktuar dhunë psikologjike dhe fizike bashkëshortes së tij.

Gjithashtu, i pandehuri kishte shkuar i dehur në shtëpi, duke fyer e kanosur gruan e tij me fjalët “unë jam egjeli yt, kam me ta nxjerr unë burgun ty”.

“Pas këtyre fjalëve, e dëmtuara largohet nga shtëpia, pastaj kthehet pas 30 minutave, ku përsëri i pandehuri vazhdon me fyerje dhe fjalë ofenduese dhe aty ndërhyn djali i të pandehurit dhe e largon të pandehurin F.B., nga dhoma”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, më datë, 26 janar në shtëpinë e tyre, i pandehuri në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike dhe fizike djalit të tij dhe në prezencë të anëtarëve tjerë të familjes e kanosë me fjalët “të mbys me thikë”.

Gjykata ka vlerësuar se kjo masë është adekuate, duke marrë parasysh rastin.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, mirëpo kjo ankesë nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.