Prapa grilave - Ilustrim

Paraburgim të dyshuarit për therje me thikë në Gjilan

Në Gjykatën e Gjilanit sot u mbajt seancë dëgjimore nga gjyqtari i procedurës paraprake Agim Ademi, në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Gjilanit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Sh. M. për veprën penale tentim vrasje.

I dyshuari gjendet nën masën e arrestit nga data 17 korrik 2019.

Prokuroria ka dyshime të bazuara se Sh.M. në datën 30 qershor 2019, në Gjilan në bashkëkryerje me një person të mitur, kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A. M.

Sipas prokurorisë i dyshuari, pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar me thikë të dëmtuarin, ndërsa personi i mitur e ka sulmuar me boks të hekurt të dëmtuarin, kështu duke i shkaktuar lëndime të lehta.

Ndërsa kërkesa për caktimin e paraburgimit nga prokurori Agron Uka, është e bazuar në arsyet se i dyshuari mund të mundohet të ju shmanget institucioneve, duke qenë se prokuroria deklaron se i dyshuari nga 30 qershori 2019 deri në datën 17 korrik 2019 ka qenë në arrati.

Gjithashtu, prokuroria kërkesën e bazon në arsyet se në bazë të peshës së veprës penale dhe rrethanave, personi mund të mundohet të i fshehë apo ndryshojë provat dhe të mundohet të përfundojë veprën penale.

Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarit i caktuar sipas detyrës zyrtare, avokati Milot Spahiu, deklaroi për pretendimet e prokurorisë se i akuzuari nuk ka qenë në arrati, por i njëjti nuk është ftuar për t`u paraqitur në polici.

Gjithashtu, avokati deklaroi se veprimet e të dyshuarit kanë qenë në vetëmbrojtje, duke deklaruar se klienti i tij nuk e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Gjykata për të dyshuarin vendosi që të caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndërsa prokuroria do të vazhdojë hetimet për të dyshuarin për këtë vepër penale.