Paraburgim në Kosovë, shtetasit nga Shqipëria të kërkuar nga Interpol-i

Gjykata në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditësh të dyshuarit nga Tirana, të kërkuar si i dyshuar nga Interpol-i për një vjedhje në Austri.

Kësisoj, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë në Prizren për caktimin e paraburgimit në raport me procedurën e ekstradimit të dyshuarit.

I dyshuari me iniciale K.F. nga Tirana, po dyshohet se ka kryer vjedhje të rëndë në territorin e Austrisë.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit datë 30.07.2019 nga ora 15:35 minuta  dhe do të zgjasë deri më datën 07.09.2019.

“Ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë, e kryer në territorin e Austrisë, e cila  vepër penale është  parapara edhe sipas KPRK-së, i cili dyshim rezulton nga provat të cilat janë bashkangjitur në shkresat e lëndës dhe atë nga kërkesa e Interpolit-urdhër arrest i vlefshëm deri më datën 08.08.2021 për arrestimin e të kërkuarit, me kërkesë për ekstradim pranë autoriteteve të Austrisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Prizren.