Paraburgim edhe për të dyshuarin e dytë lidhur me vrasjen në picerinë në Mitrovicë

Prokuroria e Mitrovicës ka bërë kërkesë në Gjykatën e Mitrovicës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditëve ndaj të dyshuarit të dytë B.H., si i dyshuar në rastin e vrasjes së 12 shkurtit në Mitrovicë, ku i vdekur kishte mbetur një person dhe ishin plagosur dy të tjerë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni ka konfirmuar për Kallxo.com, se Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

“Lidhur me rastin Prokuroria Themelore në Mitrovicës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit B.H., në drejtim të veprës penale vrasje e rëndë”, ka thënë Preteni.

Ngjarja kishte ndodhur natën e 12 shkurtit në qytetin e Mitrovicës, kur nga disa të shtëna armësh në  një piceri kishte mbetur i vdekur një person, ndërsa dy të tjerë ishin lënduar e dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Gjykata e Mitrovicës ka mbajtur seancën paraprake në këtë rast, kurse duke vendosur lidhur me kërkesën e prokurorisë, gjyqtari Ali Kutllovci ka aprovuar kërkesën e prokurorisë dhe të pandehurit B.H., ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

I dyshuari B.H., është dorëzuar në polici kurse lidhur me këtë rast deri me tani janë dërguar në paraburgim dy të pandehur.