Në prag të zgjedhjeve, vazhdon gjyqi për fondet e 3 përqindëshit

“Aktakuzë pa lidhje” kështu e ka quajtur Florent Latifaj avokat i Naser Osmanit aktakuzën e cila e ngarkon Osmanin dhe Atdhe Gashin për keqpërdorime në fondin e e njohur si fondi i 3%-shit.

Fondi i cili ishte krijuar në vitet 90 kishte mbledhur miliona euro të mërgimtarëve por edhe të qytetarëve të Kosovës të cilët depononi para për të financuar qeverinë e Kosovës në ekzil.

Qeveria ishte kthyer pasluftës në Kosovë së bashku me paratë për të themeluar fondin UFORK me të cilin synohej të harxhoheshin disa miliona euro të mbetura.

Në seancën e cila është mbajtur sot në Prishtinë Osmani e Gashi nuk e kanë pranuar fajsinë ndërsa në fjalën e tij avokati Latifaj e ka quajtur aktakuzë si “pa lidhje”. Ndërsa ky veprim ka ngjallur reagimin e prokurori Atdhe Demaj i cili e ka quajtur këtë fjalë si terminologji joprofesionale.

Vet Naser Osmani në njërën nga deklaratat e para gjykatës për këtë fond është krenuar me të bëmat e fondit për shkak se sipas tij ka pasur sukses.

“Unë kam qenë menaxher i projekteve, jo anëtar i bordit. Më vjen keq që për këtë më kanë sjell këtu. Jam ndërtues i fshatit Qaber, jam menaxher për 52 shkolla të ndërtuara në Kosove, jam menaxher i ndërtimit të mbi 1000 shtëpive për skamnorët në Kosovë dhe i monumentit të Skenderbeut midis Prishtine, i shumë ambulanteve në Kosovë… më vjen keq që Prokuroria e ka bo këtë gabim “ka thënë Osmani.

Për të argumentuar se pati keqpërdorime në fondin e 3% prokuroria ka thirrur në gjykatë edhe disa dëshmitar.

Fidan Tolaj, zyrtar i ATK-së rrëfeu se në vitin 2008 ATK kishte zbuluar se në llogarinë e Naser Osmanit ishin deponuar 21 241 euro. Sipas dëshmitarit për këto të ardhura nuk janë paguar tatimet dhe kjo është një shmangie tatimore.

Aktakuza

Prokuroria akuzën ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit e kishte ngritur gjatë vitit 2017. Ata po akuzohen për keqpërdorimin e Fondit 3 për qind, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve Kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90 –ta.

Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë  së Kosovës në ekzil.

Pas luftës, në vitin 2000, një pjesë e këtij fondi ishte orientuar në organizatën UFORK, e cila merrej me çështje të rindërtimit.

Prokuroria Speciale po pretendon se Bukoshi, Osmani dhe Gashi gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kishin marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në Fondin e 3 për qind.

Sipas aktakuzës ata kanë tërhequr shumën prej 154 mijë euro nga xhirollogaria e UFORK-ut, dhe nuk i kanë arsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë tërhequr.

Ish-kryeministri Bukoshi po akuzohet edhe për një rast tjetër, në të cilin sipas prokurorisë kishte përvetësuar shumën e 90 mijë eurove.

Në aktakuzë thuhet se Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3 për qind.

Tre të akuzuarit për keqpërdorim të buxhetit po akuzohen edhe për shmangie tatimore pasi dyshohet nuk i kanë deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.

Historia e Gjykimit

Me 28 prill 2017, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të Fondit 3%, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Për këtë aktakuzë nuk ishte informuar as mediat e as qytetarët e Republikës së Kosovës.

Rasti ishte i heshtur edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pasi më datë 23 maj 2018 kishte mbajtur shqyrtimin fillestar për të cilin nuk ishte i informuar askush.

Për shkak të gjendjes shëndetësore procedura gjyqësore ndaj ish- Kryeministrit Bukoshi ishte veçuar dhe kishte vazhduar ndaj deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashit.

Procedura kishte vazhduar ndaj deputetit Osmani dhe Atdhe Gashit, dhe më datë 26 tetor 2018 ndaj tyre ishte mbajtur shqyrtimi i dytë në të cilin të akuzuarit kishin kundërshtuar aktakuzën dhe kishin kërkuar hedhjen e saj.

Kërkesat për hedhje të aktakuzës ishin refuzuar më datë 3 dhjetor 2018 ndërsa ndaj këtij vendimi të akuzuarit kishin ushtruar ankesë.

Instanca e dytë e drejtësisë në Kosovë më datë 17 janar 2019, i ka refuzuar ankesat dhe e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë.

 

Aktakuza ‘pa zë’ për fondin 3 për qind