Ndihen të pafajshëm të akuzuarit për shpërthimin nga i cili u vra një e u plagosën 3 policë të Kosovës

Iran Badalli, Arben Gashi dhe Valbon Çollaku, të cilët po akuzohen për rastin e shpërthimit në Zhur, nga i cili u vra një polic e tre të tjerë u plagosën, kanë dalë sot para Gjykatës për t’u përballur me akuzën që u vihet në barrë.

Sipas zëdhënësit të Gjykatës së Prizrenit, Marcel Lekajt, tre të akuzuarit kanë deklaruar se ndihen të pafajshëm.

Prokuroria e Prizrenit po i akuzon Badallin, Gashin e Çollakun për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Seanca e radhës u caktua për më 6 maj, kur të akuzuarit mund të paraqesin kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës dhe provat.

Ndërkohë, gjykatësja Ajser Skenderi e kishte obliguar prokurorin e rastit Metush Biraj që brenda afatit prej 7 ditësh t’ua dorëzojë avokatëve mbrojtës shkresat të cilat janë pjesë e provave të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020 në Prizren janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjet eksploziv dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaqi, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë, Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Bytyqi.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli, S.B. kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Këto lëndime shpjegohen qartazi në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, ata akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi prej 63 cm.

Ndërsa i akuzuari Valbon Çollaku, gjithnjë sipas akuzës, akuzohet se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badalli dhe Arben Gashi ua ka shitur për 400 euro.

Ky rast ka të bëjë me shpërthimin në Zhur të Prizrenit vitin e kaluar, që rezultoi me vdekjen e policit Sami Thaqi.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë ngjarje.

Kjo ngjarje ishte trajtuar edhe në emisionin Drejtësia në Kosovë.