Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Mitrovicë, gjykimi për fajde: I akuzuari dha 10 mijë euro dhe mori 55 mijë

Në Gjykatën e Mitrovicës është paraparë të mbahej seanca gjyqësore ndaj Isak Smakollit, i cili nga Prokuroria akuzohet se kishte dhënë 10 mijë euro me fajde.

Sipas Prokurorisë, Smakolli në prill dhe mars të vitit 2013  i kishte dhënë hua dy herë nga 5 mijë euro F.B., me afat kthimi të pacaktuar.

Mirëpo, pas dy muajve i pandehuri i ka kërkuar të dëmtuarit t’ia kthejë paratë brenda pesë ditëve dhe i ka thënë “prej këtij momenti je në fajde” dhe i ka kërkuar 20% kamatë mujore të shumës 10.000 euro.

Në këtë rast i dëmtuari i kishte paguar të pandehurit interes në shumën prej 55.000 euro.

Seanca gjyqësore ndaj Smakollit ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Mitrovicës.

Kryetari i trupit gjykues, në këtë rast gjyqtari Avni Mehmeti, ka thënë se  i akuzuari Smakolli kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, fletë-kthesa ishte kthyer në Gjykatë më 13 janar 2021, me konstatimin se pala është e panjohur në këtë adresë, por Gjykata kishte verifikuar se adresa e të akuzuarit është e saktë, sepse në të njëjtën adresë i ishin dërguar ftesat gjyqësore për këtë rast edhe më herët.

Ndërsa për mbrojtësin e të pandehurit avokatin Mahmut Halimi, nga fletë-kthesa ka rezultuar se i njëjti e kishte pranuar ftesën më 18 janar 2021, e nga kjo ka rezultuar se ftesa nuk i ishte dorëzuar me kohë.

Gjithashtu ka munguar edhe i dëmtuari F.B., i cili ishte ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Andaj në mungesë të kushteve ligjore gjyqtari Mehmeti e ka shtyrë seancën për më 10 shkurt.

Shënim: Artikulli është edituar më 07.08.2023, në ora 14:41. Emri i palës së dëmtuar është larguar, pas kërkesës së palës së dëmtuar bazuar në të drejtën e tij për tu harruar.