Mitrovicë, dënohen me nga 6 muaj burgim me kusht të akuzuarit për narkotikë

Gjykata në Mitrovicë ka shpallur sot aktgjykim me anë të të cilit ka dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht të akuzuarit Arber Shabani dhe Adnan Miftari.

Shabani dhe Miftari nga Prokuroria e Mitrovicës akuzohen për posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas akuzës, i pandehuri Arber Shabani në shkurt 2020 në Mitrovicë në lagjen “2 Korriku”, pa autorizim ka poseduar drogë së bashku me të pandehurin Adnan Miftari.

Droga sipas akuzës është gjetur tek ata me rastin e kontrollit të policisë në veturën e tipit “Golf 4”, e të cilën i pandehuri Arber Shabani, kur e kishte parë policinë e ka hedhur nga vetura, ndërsa drogën e ka blerë nga një person i panjohur sepse siç thuhet në akuzë vetë është përdorues droge dhe e njëjta i është gjetur me rastin e kontrollit të policisë dhe është konfiskuar.

Më këtë akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale posedim i paautorizuar i narkotikëve.

Dënimi ndaj të akuzuarve është shpallur nga gjyqtari Rrahman Beqiri sot në Gjykatën e Mitrovicës ndërsa të pandehurit janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht në periudhë verifikimi prej një viti.

Po ashtu, është urdhëruar edhe konfiskimi i substancës narkotike dhe policia të bëjë shkatërrimin e saj sipas procedurave të parapara.