Ministri i Brendshëm akuzohet se goditi auto ambulancën

Nga karrigia e tij e Ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa pritet që nesër të paraqitet në gjykatën e Ferizajt.
Aty ai pritet të përballet me akuzat e prokurorisë së shtetit për aksidentin e prillit të vitit 2014 ku mbetën të lënduar rëndë dy persona ndërsa u lëndua lehtë një grua.
KALLXO.com ka siguruar një kopje të aktakuzës e cila sqaron se pasditen e datës 23 prill, Mustafa duke mos iu përshtatur rregullave të trafikut kishte goditur një mjet të ndihmës së parë. Automjeti tutje kishte goditur edhe dy makina të tjera të cilat ishin të parkuara në oborrin e biznesit.
Aktakuza sqaron se kallëzimi penal i policisë nuk e kishte nxjerrë Mustafën fajtor për aksidentin megjithatë pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Ferizajt aktakuza ishte ngritur ndaj Mustafës.
Ekrem Mustafa u emërua Ministër i Brendshëm pas paralajmërimeve të deputetit Labinot Tahiri i cili kërkonte që në Qeverinë Haradinaj të ishte një ministër nga Ferizaj.