Homazhe për Oliver Ivanoviqin - Foto: BIRN/ EPA-EFE

Lënda për vrasjen e Oliver Ivanoviqit tash e 3 muaj në Apel

Aktakuza në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit në janar të vitit 2018, ende nuk është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit.

Kjo pasi, Gjykata Themelore në  Prishtinë, të akuzuarve  Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basaran, u kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzave dhe kundërshtimin e provave.

Për KALLXO.com avokati Mahmut Halimi, mbrojtës i të akuzuarit Marko Rashiq tha se lënda tash e tre muaj nuk ka vendim nga Gjykata e Apelit.

“Çfarë po ndodh me këtë lëndë është  katastrofë, lënda ka tre muaj në Apel dhe ende nuk është vëndosur për ankesën tonë”, tha ai.

KALLXO.com ka kërkuar informacione edhe nga Gjykata e Apelit në lidhje me rastin por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të artikullit.

Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzon Marko Roshiqin, Nedelko Spasojeviqin, Dragisha Markoviqin, Zharko Jovanoviqin, Silvana Arsoviqin dhe Radeta Basaran se duke vepruar si grup i organizuar kriminal nën udhëheqje të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojçiqit, me veprimet e tyre inkriminuese kanë gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, i cili u vra më 16 janar 2018 në veri të Mitrovicës.