Pal Lekaj i ulur në bankën e të akuzuarit - 07.11.2019

Kthehet në rigjykim rasti ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve

Gjykata e Apelit e ka kthyer në  rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve, duke anuluar kështu aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të akuzuarve G. R., P. L. dhe I. I., me aprovimin e pjesshëm të ankesës së të akuzuarit V. H., dhe sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.64/18 i datës 02.04.2021, në pikat I, II dhe III dhe çështja kthehet në rigjykim për këto tri pika”, thuhet në arsyetimin e vendimit të gjykatës së Apelit.

Apeli me këtë vendim të marrë ka vërtetuar pikën e aktakuzës që ngarkon të akuzuarin Veli Hajdarjaga për shmangie nga tatimi.

Hajdarjagës i është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 3000 mijë euro dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej 1  viti, ku dënimi me burg nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej 1 viti nuk kryen ndonjë vepër të re.

“I akuzuari V. H. obligohet që ATK-së, në emër të dëmit të shkaktuar t’i kompensojë shumën prej 13,907,04 euro për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), shumë prej 7,376.07 euro për Tatim në të Ardhura Personale, si dhe në emër të kontributeve pensionale shumën prej 3,435,48 euro, në shumë totale prej 24,718.59 euro, në afat prej 6 (gjashtë) muaj, nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.

Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj ishte  shpallur fajtor nga gjykata e Gjakovës për keqpërdorim detyre, nën akuzën lidhur me subvencionet e shpërndara në Gjakovë.

Bashkë me Lekajn në këtë rast po akuzohen edhe Ismet Isufi (ish-drejtor i Bujqësisë)  dhe Gani Rama (ish-zyrtar financiar), ndërsa Veli Hajdaraga po akuzohet për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi.

Pal Lekaj nga shkalla e parë u dënua me burg me kusht prej 1 vit e 6 muaj. Dënimi nuk do t’i ekzekutohej nëse për dy vite ai nuk do të kryejë vepra të tjera penale.

Gani Rama ishte dënuar me burgim me kusht prej 1 viti. Dënimi nuk do t’i ekzekutohej nëse për dy vite ai nuk do të kryejë vepra të tjera penale

Ismet Isufi ishte dënuar me burg me kusht prej 1 vit e 6 muajsh. Dënimi nuk do t’i ekzekutohej nëse për dy vite ai nuk do të kryejë vepra të tjera penale

Ndërsa për Veli Hajdaragën u dha dënim unik me gjobë në shumë prej 8 mijë euro dhe 1 vit burgim me kusht. Dënimi nuk do t’i ekzekutohej nëse për dy vite ai nuk do të kryejë vepra të tjera penale.

Pal Lekajt, Ismet Isufit dhe Gani Ramës, iu shqiptua edhe dënimi plotësues mos-ushtrimi i funksionit për dy vjet dhe 69,780 euro t’ia kompensojnë komunës, në afat prej 1 viti

Tash rasti pritet të filloj nga pika zero.