Zenun Elezaj, AAK, Klinë. Foto: Kallxo.com

Kryetari i Klinës nesër para gjyqit për punësimin e vajzës së tij

Zenun Elezaj, kryetar i komunës së Klinës nesër pritet të ulet në bankën e të akuzuarit në gjykatën e Pejës, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tij.

Elezaj akuzohet nga prokuroria për rastin e punësimit të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në seancën fillestare Elezaj ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e prokurorisë.

Prokuroria e Pejës po pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosja e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.

Në një opinion ligjor të AKK-së dhënë për Prokurorinë e Pejës thuhet se Kryetari i Komunës përjashtohet nga procedurat vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë çështje në të cilën ai apo ndonjë anëtar i familjes se tij ka interes personal apo financiar.

Kryetari i Klinës në dëshminë e tij të dhënë para organit ndjekës ka deklaruar se në momentin kur ka kuptuar se vajza e tij ka aplikuar për mjeke në atë konkurs, vullnetarisht e ka përjashtuar veten nga vendimmarrja dhe procedurat administrative.