Ish-kryetari dhe ish-kryekuvendari i Kllokotit dalin para gjyqit në rigjykimin për keqpërdorim të detyrës

Në gjykimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj të akuzuarve Sasha Mirkoviq dhe Zharko Dejanoviq është dhënë fjala përfundimtare.

Prokuroria e Gjilanit akuzon Sasha Mirkoviq se në cilësinë e kryetarit të komunës së Kllokotit dhe Zharko Dejanoviq në cilësinë e kryetarit të kuvendit komunal të Kllokotit, se me datën 22.02.2012, me qëllim të përfitimit, duke i tejkaluar kompetencat e tyre dhe duke mos i përfillur procedurat ligjore, i kanë lëshuar me qira një parcelë personit Dardan Novosella, me shumën prej 550 euro në muaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë për këtë parcelë nuk është paguar dhe inkasuar qiraja prej datës së lëshimit me qira deri në datën 15.05.2013, kështu duke i shkaktuar dëm Komunës së Kllokotit në shumën prej 7 mijë e 700 euro.

Në këtë çështje penale Gjykata e Gjilanit, më parë ka shpallur aktgjykim lirues për të akuzuarit, për shkak të mungesës së provave. Mirëpo, këtë aktgjykim Gjykata e Apelit të Kosovës e ka kthyer për rivendosje.

Vendimi i Apelit bazohet në ankesën e prokurorit, i cili ankesën për aktgjykimin e kaluar të gjykatës e ka arsyetuar me shkelje esenciale të kodit penal dhe kodit të procedurës penale të Kosovës dhe në vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.

Gjykata e Gjilanit këtë çështje penale po e trajton në rigjykim, dhe në shqyrtim gjyqësor u dëgjua fjala përfundimtare e palëve para trupit gjykues i përbërë nga  kryetari Agim Ademi dhe anëtarëve Zyhdi Haziri dhe Naser Maliqi

Në fjalët përfundimtare prokurori Shaban Spahiu deklaroi se duke u bazuar në provat materiale dhe deklarimet e dëshmitarëve në seancat e kaluara, është vërtetuar se të akuzuarit me qëllim të përfitimit për vete apo dikë tjetër kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Prandaj, prokurori i propozoi gjykatës që të njëjtit t`i shpallë fajtor.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Sasha Mirkoviq, avokati Fahredin Ymeri, deklaroi se nuk është vërtetuar se klienti i tij ka përfituar nga veprimet e supozuara në aktakuzë.

Ai tha se i akuzuari nuk ka ndërmarrë veprime jashtë kompetencave të tij. Prandaj, mbrojtësi i propozoi gjykatës që në mungesë të provave të akuzuarin ta shpallë të pafajshëm.

Mbrojtësja e të akuzuarit Zharko Dejanoviq, avokatja Jehona Sylejmani, deklaroi se për klientin e saj, nuk është gjetur asnjë provë dhe deklarim që e inkriminon në kryerjen e kësaj vepre penale. Duke u bazuar në këtë avokatja i propozoi gjykatës që në mungesë të provave të njëjtin ta shpallë të pafajshëm.

Pas fjalës përfundimtare gjykata përfundoi shqyrtimin gjyqësor për këtë çështje penale dhe vendimin do ta shpallë në datë tjetër.