Gjykata e Gjilanit

Inspektorët akuzohen për keqpërdorimit të detyrës zyrtare

Enver Ismajli, Naser Vllasi dhe Dobrivoje Milkoviq, inspektorët në Kamenicë kanë dalë para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, për mos marrjen e masave ndaj Covid-19.

Të akuzuarit, deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë që u ngarkon Prokuroria.

Në seancën e sotme u dëgjuan tre dëshmitarë, ndër ta edhe Ibrahim Huruglica, i cili është zyrtarë policor. Ai tha se ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe se qëndron plotësisht pranë saj.

“Në ditën kur ka ndodhur rasti, ne kemi marrë urdhër nga udhëheqësi ynë që të shkojmë në asistencë me inspektorët komunal. Aty është vërejtur se në një kafeteri nuk janë duke u respektuar masat e qeverisë ndaj pandemisë. Aty kanë ardhur edhe inspektorët të cilët tani janë të akuzuar dhe ne vetëm u kemi asistuar atyre në kryerjen e detyrave dhe se nuk ka pasur asnjë incident i cili ata i kish penguar në kryerjen e detyrave”, tha dëshmitari Huruglica.

Tutje u dëgjua dëshmitari tjetër Ibrahim Demolli, i cili gjithashtu është zyrtar policor. Ai tha se ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe se mbetet në tërësi pranë asaj që ka thënë.

“Me urdhër të rreshterit ne kemi shkuar në asistencë të inspektorëve në lokalin “In time”, i cili gjendet në Kamenicë. Me inspektorët jemi takuar afër derës së lokalit, pastaj ne i kemi përcjellë deri te dera e hyrjes dhe kemi qëndruar më larg tyre. Unë nuk e di se çfarë kanë biseduar inspektorët me pronarin e kafeterisë pasi kemi qëndruar më larg në distancë. Unë nuk kam parë inspektorët duke hartuar procesverbal”, tha dëshmitari Demolli.

Dëshmitari i fundit, rreshteri Policor Mustafë Berisha tha se në natën kur ka ndodhur rasti ka qenë mbikëqyrës i ndërrimit në Stacionin Policor në Kamenicë.

“Jam informuar nga njësia patrulluese se gjendja në kafeterinë “In time”, nuk është në rregull pasi ka pasur tollovi të madhe dhe nuk po respektoheshin masat kundër Covid-19. Kur e kam fotografuar lokalin “In time”, sipas vrojtimit të lirë mund të them se aty kanë qenë mbi 50 persona dhe se aty nuk janë respektuar masat ndaj Covid-10”, tha tutje dëshmitari Berisha.

Pas përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar më 12 shkurt.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit më 18 gusht si persona zyrtarë, inspektorë të tregut, në Kamenicë, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: https://kallxo.com/ligji/akuzohen-se-nuk-moren-masa-ndaj-kafeterise-ne-pandemi-inspektoret-nga-kamenica-dalin-ne-gjyq/.