Foto: Ilustrim

I akuzuari për grabitje: Prej tute e pranova fajin sepse më rrahën policia

Abedin Berisha, i akuzuar për grabitjen e një kulete në parkun e Fushë Kosovës deklaroi se e ka pranuar fajësinë pasi sipas tij ishte rrahur nga policia.

“Prej tute e kam pranuar fajësinë sepse më ka rrahur policia”, tha ai.

Sipas prokurores Besa Limani, gjatë deklaratës në polici i akuzuari kishte pranuar të ketë marrë kuletën nga viktima gjë të cilën ai e mohoi gjatë seancës gjyqësore.

Ai tha se kuletën nga dëmtuara B. Muqolli e kishte marrë shoku i tij H. T.

Ai pranoi se veprën e kanë kryer së bashku me H. T. (i mitur në kohën kur kishte ndodhur rasti), mirëpo mohon të kenë përdorur dhunë.

I akuzuari Abedin Berisha deklaroi se ideja për të vjedhur kuletën ishte e shokut të tij H. T.

Gjatë seancës i pranishëm ishte edhe dëshmitari Kushtrim Rakaj, i cili tha se policia kishte marrë fillimisht atë duke menduar se ai është Abedini, derisa e dëmtuara ishte kthjellur dhe kishte treguar se ai nuk është personi që ka marrë kuletën nga ajo.

Dëshmitari më tej tha se në bazë të përshkrimeve që e dëmtuara i kishte bërë personave që e kanë sulmuar dhe marrë kuletën e saj nga ajo, kishte mundur të i identifikonte se kush janë ata dhe kishte njoftuar policinë.

Procedura ndaj H. T. i cili në kohën e kryerjes së veprën penale kishte qenë i mitur është veçuar.

Prokuroria i vë në barrë se në prill të vitit 2013, i akuzuari Abedin Berisha së bashku me të miturin H. T. ka përvetësuar pasuri të huaj të luajtshme më qëllim të përfitimit të kundërligjor.

Në bazë të aktakuzës derisa e dëmtuara B. Muqolli ishte duke lëvizur në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Fushë-Kosovë së bashku me fëmijën e saj, i pandehuri Abedin Berisha i është afruar e ka goditur pas shpinës, ia ka përdredhur dorën e djathtë me ç ‘rast ia ka marrë kuletën në të cilën e dëmtuara Muqolli kishte pasur rreth 100 euro dhe menjëherë ka ikur në drejtim të panjohur.