Hetimet për krimet ndaj gazetarëve dhe mënyra e zgjidhjes

Kosova është në mesin e vendeve të rajonit që ka ndërtuar një sistem të veçantë, i cili trajton rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.

Një ekip special i hetuesve është përgjegjës për të hetuar secilin pretendim për sulm apo kërcenin ndaj gazetarëve ndërsa në secilën prokurori është një prokuror i specializuar për të hetuar pretendimet e tilla.

Mekanizmi i ndërtuar në vitet e fundit ka treguar rezultate edhe në hetimin e disa prej rasteve të rënda të sulmeve dhe krimeve ndaj gazetarëve.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Të dhënat nga databaza, të grumbulluara për 4 vite, përfshirë vitet prej 2016-2020, tregojnë se për veprat penale ndaj gazetarëve gjatë këtyre viteve janë ngritur gjithsej 18 aktakuza nga ana e prokurorit të shtetit.

E në anën tjetër  gjatë këtyre viteve nga ana e prokurorit është paraqitur vetëm një kërkesë për masën e paraburgimit.

Për 4 vite nga 45 raste të paraqitura në total, prokurori i shtetit ka zbardhur 21 lëndë ndërsa 24 janë ende nën hetime.

Prokuroria e Shtetit para disa vitesh kishte prioritetizuar hetimet e sulmeve dhe rasteve kur gazetarët ishin viktima ndërsa në Policinë e Kosovës hetimi i rasteve të gazetarëve ishte bartur në njësinë e krimeve të rënda me qëllim të rritjes së efikasitetit në hetime.

Të dhënat statistikore përkundër që tregojnë një nivel të lartë të rasteve të raportuara dhe aktakuzave dëshmojnë që ata që dyshohet se i kanë kryer këto vepra ende nuk janë dënuar.

Vetëm 3 nga 18 aktakuzat janë trajtuar nga gjykatat dhe prej tyre sulmuesit e gazetarëve në dy raste kanë marrë urdhër ndëshkimor dhe vetëm në një rast është shqiptuar një dënim.

Analiza e të dhënave statistikore tregon që në sistemin gjyqësor nuk ka një prioritetizim të trajtimit të rasteve të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Përderisa policia dhe prokuroria kanë emëruar zyrtarët përgjegjës të cilët hetojnë dhe mbikëqyrin rastet, në gjykata nuk ka kordinatorë të tillë dhe gjykimi i rasteve vjen sipas radhës, pa pasur ndonjë prioritetizim.

Përjashtim bën Gjykata e Prishtinës që e ka të caktuar një gjyqtar për trajtim të rasteve të gazetarëve.

Sipas ligjeve aktuale vetëm Këshilli Gjyqësor i Kosovës është mekanizëm që mund të vendosë që një çështjeje të caktuar t`i jepet prioritet në zgjidhje nga gjykatat e vendit.

Një qëndrim i tillë nuk është marrë asnjëherë nga KGJK dhe si rrjedhojë krimet ndaj gazetarëve kanë mbetur në regjistrat e krimeve ordinere me të cilat gjykatat janë të stërngarkuara.

Gazetarët që janë viktimë e veprave penale të kryera ndaj tyre mund të raportojnë rastin në Policinë e Kosovës apo edhe direkt te Prokurori i Shtetit.

Në rast se ankesa e viktimës paraqitet në stacionet e policisë, zyrtarët e policisë rastin e dërgojnë për hetim të mëtutjeshëm te Prokurori i Shtetit.

Kur gazetarët janë viktimë e veprave penale ndaj jetës dhe trupit mund t’i atakojnë vendimet e gjykatave të shkallës së parë në Gjykatën e Apelit përmes ankesës. Apelimi mund të bëhet nga ana e tyre për vendimin mbi dënim të gjykatës.

Për veprat e tjera penale është prokurori i rastit që ka kompetencë të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti “Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.