Haradinaj propozohet si dëshmitar në rastin 'veteranët e rrejshëm'

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është propozuar si dëshmitarë në rastin veteranët nga mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalija.

Propozimin e ka bërë avokati Arianit Koci, që në këtë rast po e mbron deputetin e Kuvendit të Kosovës, Shkumbim Demalija.

Gjyqtarja Nushe Kukaj Mekaj tha se në seancat e kaluara ishte paralajmëruar nga avokati Arianit Koci, se pas përfundimit të radhës së paraqitjes së provave nga Prokuroria Speciale, të propozohet për tu dëgjuar ish kryeministri Ramush Haradinaj.

Por, prokurori i kësaj çështje penale, Valdet Krasnqi e kundërshtoi propozimin e Kocit. Krasniqi tha se dëshmitari Ramush Haradinaj nuk është relevant lidhur me çështjen e cila është objekt i gjykimit.

Por, i menjëhershëm ishte reagimi i avokatit Koci.

“Zonja gjyqtare si duket Prokuroria nuk është e interesuar ta zbardhë të vërtetën. Nëse edhe zotëri Haradinaj nuk është relevant, si njëri prej themeluesve të UÇK-së, komandant zone dhe ekspert ushtarak, unë nuk e di kush është me relevant, si dëshmitar në këtë çështje”, tha Koci.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca gjyqësore në rastin e njohur për publikun “Veteranët”, në të cilin janë të akuzuar disa nga komandantët e UÇK-së si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Rrustem Berisha dhe Shukri Buja. Bashkë me ta akuzohen edhe anëtaret e komisionit për verifikimin e njohjes së statusit të veteranit.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88,769,217.04 euro.