Foto: KALLXO.com

Grabitja e mbi 65 mijë eurove, rinisë gjykimi ndaj të akuzuarve

Grabitja e 65 mijë eurove, nis nga fillimi gjykimi ndaj të akuzuarve

Ferdi Sali, Liridon Musliu, Labinot Halimi dhe Selman Halimi, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan për t`u përballur me akuzën për grabitje në disa vende.

Në seancën e sotme, kryetari i trupit gjykues Sabedin Mushica tha se ky shqyrtim do të nis nga fillimi edhe njëherë.

“Shqyrtimi gjyqësor do të nisë nga fillimi, pasi është ndërruar kryetari i trupit gjykues”, tha gjykatësi Mushica.

Kujtojmë se kjo është hera e dytë që ky shqyrtim nis nga fillimi, pasi edhe gjatë vitit 2020, për shkak të pandemisë ishte ndërprerë për më shumë se tre muaj duke rinisur rishtazi.

Në vazhdim u dëgjua dëshmitarja  Besarta Sylejmani e cila tha se mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe në Prokurori.

“Në ditën kritike me nënën time kemi dalur te stalla e bagëtive për të pastruar, e kemi fshi dhe e kemi ndreq e mandej kemi shkuar te shtëpia ku kanë qenë duke punuar Labinoti dhe Selmani, pasi ata ishin duke e lyrë shtëpinë. Aty kemi qëndruar diku 10 minuta, jemi kthyer në shtëpi dhe kur jemi afruar kemi parë se çelësi i derës ka qenë i vendosur nga ana e jashtme. Kur kemi hyrë brenda, gjyshja ime ishte brenda dhe kishte qenë e shtrirë në tokë pasi këta që kanë hyrë në shtëpi e kanë tërhequr zvarrë dhe e kanë lënduar”, tha dëshmitarja Sylejmani.

Tutje ajo tha se e ka ditur se në një valigje në shtëpi ka pasur para, por se nuk e ka ditur shumën se sa kanë qenë.

“Kam shkuar tek shtëpia e re ku kanë qenë Labinoti dhe Selmani dhe i kam thirrur. Kur jemi kthyer në shtëpi afër valixhes ku kanë qenë paratë e kam parë vetëm një thikë e cila nuk ka qenë e kuzhinës tonë”, tha tutje dëshmitarja Besarta Sylejmani.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Ferdi Sali, Liridon Musli Labinot Halimi dhe Selman Halimi, më 3 korrik 2019, në Gjilan, në bashkëveprim dhe me përgatitje paraprake, kanë kryer grabitje.

Dosja e Prokurorisë thekson se të akuzuarit Labinot Halimi dhe Selman Halimi, i kanë udhëzuar të akuzuarit tjerë Liridon Musli dhe Ferdi Sali, në shtëpinë ku do të kryenin grabitjen, ndërsa ata dy të armatosur dhe të maskuar, kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Sadik Sylejmani.

Prokuroria thotë se nën kanosje dhe ushtrim të dhunës ndaj të dëmtuarës Hyrije Sylejmani, të akuzuarit kishin grabitur para në shumën prej 65,000 euro, 1,000 franga, si dhe sasi të konsiderueshme ari, me ç’rast pas grabitjes së bashku me një person tjetër janë mbledhur në banesën e të pandehurit Liridon Musli, në Fushë Kosovë, për të ndarë paratë e vjedhura.

Gjithashtu, të akuzuarit Ferdi Sali dhe Liridon Musli, më 11 korrik 2019, rreth orës 18:05 minuta, në Postën e Kosovës, në rrugën “Balzaku”, në Gjilan, të maskuar dhe të armatosur me një revole kanë kryer grabitje, fillimisht duke i sulmuar fizikisht punëtorët e kësaj pike të Postës, e më pas duke marrë nga arka 300 euro.

Pas aktit, ata ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Ferdi Sali dhe Liridon Musli akuzohen edhe për grabitje në tentativë, pasi në objektin e fabrikës ‘’Fluidi’’, në fshatin Velekincë, sipas Prokurorisë, kanë tentuar të kryejnë akt të ngjashëm. Sipas aktakuzës ata fillimisht kishin hapur me forcë derën e fabrikës, mirëpo për shkak të zhurmës e cila ishte shkaktuar gjatë hapjes së derës, të njëjtit ishin vërejtur nga sigurimi.

Pas kësaj, ata kishin gjuajtur me armë dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: https://kallxo.com/ligji/grabitja-e-65-mije-eurove-serish-deshton-seanca-ndaj-te-akuzuarve/.