Gjykimi i Pjetër Ndrecajt - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen e gruas dhe vajzës, eksperti i psikiatrisë: I akuzuari Pjetër Ndrecaj nuk ka çrregullime mendore

Në gjykimin e Pjetër Ndrecajt, i akuzuar se me Kallashnikov ka vrarë bashkëshorten e tij, Valbonën, dhe vajzën 9-vjeçare, në Gjykatën e Gjakovës sot avokati i palës së dëmtuar, Isa Osdautaj, ka dorëzuar një letër dhe një CD.

“Nuk e kam ditur që pafytyrësia e njerëzve shkon deri në këtë nivel”, tha Ndrec Dodaj, avokat i të akuzuari, pasi avokati Osdautaj dorëzoi letrën dhe CD-në.

Dodaj tha se i mbrojturi i tij dyshon qe kjo letër u shkrua nga motra e Valbonës dhe jo nga dora e saj.

Sipas gjykatësit Gëzim Pozhegu, e njëjta letër nuk është për publikun, andaj përmbajtja e saj nuk u lexua në sallë të gjykimit.

Ndërsa, prokurori Ali Uka tha se letra e dorëzuar nga pala e dëmtuar nuk ka të bëjë me këtë rast dhe se e njëjta letër nuk duhet të jetë pjesë e shkresave të lëndës, por ajo duhet të veçohet.

Më pas, u dëgjua eksperti i psikiatrisë, Arsim Gashi.

Gashi tregoi që i akuzuari Pjetër Ndrecaj nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor i përkohëshëm apo i përhershëm.

“Pas analizimit si ekip vlerësues, tek i ekzaminuari Pjetër Ndrecaj nuk kemi gjetur elementet psikopatologjike që kanë mundur të ndikojnë në zvogëlimin e aftësisë për t’i kontrolluar veprimet e tij dhe në momentin kritik i ekzaminuari ka qenë i vetëdijshëm për marrjen e veprimeve të veta”, deklaroi eksperti Gashi.

Eksperti Arsim Gashi tregoi se kanë bërë edhe një raport psiko-social ku përshkruhen dinamikat psiko-sociale përbrenda familjes dhe se aty nuk ishin gjetur elemente të cilat do të ndikonin në kryerjen e veprës penale.

“Gjatë procesit të ekzaminimit, i ekzaminuari intervistohet disa herë për disa ditë, prej të gjithë pjesëtarëve të grupit të ekspertëve dhe prej secilit veç e veç dhe është konstatuar se nuk kemi të bëjmë me një person që vuan nga një çrregullim mendor, në të cilën hynë edhe çrregullimet e personalitetit”, deklaroi eksperti.

Gjykimi pritet të vazhdojë nesër, i udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, i ndihmuar nga gjyqtarët Mizair Shabani dhe Ilir Rrashkaj, ku do të shqyrtohet CD-ja e dorëzuar sot dhe i akuzuari do të japë mbrojtjen e tij.

Para dy javësh, një seancë e këtij rasti ka dështuar të mbahej.

Ndonëse kanë kaluar 2 vite nga vrasja e dyfishtë, ky rast ende po vazhdon të gjykohet.

Seanca e fundit në këtë rast është mbajtur më 11 mars.

Në këtë rast pritet që të sillet shkresa e ekzaminimit psikiatrik e më pas edhe mbrojtja e të akuzuarit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin.

Në këtë rast gjyqësor kishin dëshmuar edhe dy vëllezërit e Valbonës, Shkelzen dhe Kujtim Marku.

Në disa seanca Pjetër Ndrecaj ishte sjellë me jelek antiplumb në Gjykatë.

Një seancë nuk ishte mbajtur me kërkesë të Prokurorisë.

Në një seancë të mbajtur në muajin tetor ishte kërkuar raport psikiatrik për të akuzuarin.

Në seancën fillestare, Pjetër Ndrecaj nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

Ai ishte sjellë në Gjykatë i lidhur me zinxhirë.

Për këtë rast ishte kërkuar përjashtimi i Gjykatës dhe Prokurorisë.

Pjetër Ndrecaj ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Ai gjendet në paraburgim nga data 7 gusht 2018.

Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Kolegji i Gjykatës Supreme kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas Gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.

Pjetër Ndrecaj në nëntor të vitit të kaluar ishte dënuar me 24 vite burgim nga Gjykata e Gjakovës, ndërsa dy muaj më vonë atij i ishin shtuar edhe një vit e tetë muaj për rrahjen e ish-bashkëshortes së tij Valbona Ndrecaj.

Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.