Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Gjykimi për përvetësimin e parave të 'Eco-Higjienës' në Gjilan

Gjykimi ndaj Mirsad Hazirit dhe Isane Beqirit, të akuzuar për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike në kompaninë “ECO-Higjiena”, ka dështuar të mbahet sot në gjykatën e  Gjilanit.

Arsyeja e dështimit të seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarës Isane Beqiri.

Prokuroria e Gjilanit akuzon Mirsad Hazirin se prej datës 01 janar 2015 deri në datën 31 dhjetor 2016, në cilësinë e inkasantit në kompaninë “ECO-Higjiena” në Gjilan, në kundërshtim me rregullat e brendshme të kompanisë, ka përvetësuar pasurinë e inkasuar që i është besuar në ruajtje dhe menaxhim sipas pozitës në kompani.

Sipas aktakuzës, i akuzuari mjetet e inkasuara nga konsumatorët që shfrytëzojnë shërbimet e kompanisë, i ka përvetësuar dhe nuk i ka regjistruar në kartelat e konsumatorëve dhe në sistemet e kompanisë, duke i shkaktuar dëm kompanisë prej 6,416.38 euro.

Sipas Prokurorisë Isane Beqiri akuzohet se prej datës 01 janar 2015 deri në datën 15 nëntor 2016, në Gjilan, në cilësinë e inkasantes në kompaninë “ECO-Higjiena”, me veprimet e njëjta si të akuzuarit tjetër, ka përvetësuar pasurinë e inkasuar që i është besuar në ruajtje dhe menaxhim sipas pozitës në kompani, duke i shkaktuar dëm kompanisë prej 3,062.70 euro.

Seanca fillestare për këtë çështje penale nuk u mbajt duke qenë se mungoi në seancë e pandehura Isane Beqiri. Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Taulant Hodaj dhe prokurori Halim Borovci, deklaruan se kërkojnë nga gjykata që të merren të gjitha masat që të sigurohet prania e të pandehurës në procedurë në seancat e tjera.

Gjykata për të pandehurën deklaroi se do të lëshohet urdhëresë për sjellje të detyrueshme në seancë, ndërsa seancën e radhës e caktoi për datë tjetër.