Gjyqtari Sali Berisha, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykatësi nga Peja Sali Berisha vazhdon të paguhet nga buxheti i shtetit

Gjykatësi nga Peja, Sali Berisha po përballet me Gjykatën e Prishtinës nga shkurti i këtij viti nën akuzën e Prokurorisë Speciale  për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje.

Pasi që ndaj tij po zhvillohet procesi penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës jemi njoftuar se i njëjti është pezulluar nga pozita e gjyqtarit dhe merr 50% të pagës.

“Bazuar në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokurorëve,  neni 12, paragrafi 9, ka nxjerr vendim dhe e ka pezulluar nga detyra e gjyqtarit deri në një vendim tjetër, ka pezulluar procedurën disiplinore dhe ka ndërprerë parashkrimin deri në përfundim të procedurës penale” thuhet në përgjigjen e KGJK-së për KALLXO.com.

Në mars të këtij viti gjykatësi i akuzuar kishte bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit-AKK, ku kishte deklaruar pagën prej 2 mijë e 30 euro, e që pas vendimit të KGJK-së i bie që i njëjti të marrë pagë prej 1 mijë e 15 eurosh.

 

Aktakuza thotë se Sali Berisha, në cilësinë e personit zyrtar, ka kërkuar dhe ka pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F. Z., me të cilin ka kanë shkuar tek vetura e dëshmitarit dhe pasi që kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i pandehuri ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç’rast i pandehuri ka marrë Aktgjykimin me të cilin ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg tre vjet, me kusht prej dy vjet për dy vepra penale të kontrabandimit me migrantë.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjyktaësin Sali Berisha se deri më 19.09 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.