Foto-ilustrim

Gjykatësi i Prishtinës vonoi përpilimin e aktgjykimit 300 ditë, i ulet paga vetëm 10 %

Gjykatësi i Gjykatës së Prishtinës, Latif Xhemajli, është hetuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për shkak të moshartimit me kohë të aktgjykimit në një çështje civile.

Nga hetimi që është bërë nga paneli është gjetur se gjykatësi Xhemajli ishte vonuar në përpilimin e aktgjykimit 10 muaj.

Pas hetimit, gjykatësi Xhemajli kishte hyrë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë me panelin hetimor të KGJK-së, ku kishte pranuar vonesën e paarsyeshme të përpilimit të aktgjykimit.

Për këtë vonesë gjykatësit i është shqiptuar sanksion disiplinor – ulje e pagës 10% në një kohëzgjatje për katër muaj.

Sipas Ligjit të Procedurës Kontestimore, gjykatësi i çështjes duhet ta përpilojë aktgjykimin brenda 15 ditëve nga koha kur ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor.

Në nenin 153, paragrafi 1, i këtij Ligji parasheh: “Gjykata e jep aktgjykimin më së voni brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e përfundimit të shqyrtimit kryesor. Koha në të cilën jepet aktgjykimi quhet dita në të cilën ai hartohet me shkrim”.

Në rast se gjykatësi i çështjes nuk e përpilon aktgjykimin brenda afatit duhet ta njoftojë kryetarin e gjykatës për shkaqet e vonesës.

“Po qe se gjyqtari e kalon afatin nga paragrafi 1 i këtij neni, ai ka për detyrë që me shkrim ta njoftoj kryetarin e gjykatës për shkaqet e tejkalimit te tij”.