Gjykatësi i infektuar me COVID-19, parashkruhet një vepër penale në rastin "Feronikeli", i shënjestruar për liberalizim të vizave

Për një pikë të akuzës në rastin e njohur si “Ferronikeli”, i cili është rast i shënjestruar për liberalizim të vizave, sot do të arrijë vjetërsimi absolut. Fjala është për veprën penale – ndërtime të kundërligjshme.

Të akuzuar në këtë proces penal të kthyer në rigjykim  janë 10 persona, përfshirë edhe ish- kryetarin e  Lipjanit, Shukri Bujën.

Aktakuza e këtij procesi penal trajton veprat penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, dhënie ryshfeti, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi e  ndërtime të kundërligjshme.

Ndaj të akuzuarit Fahri Retkoceri sot do të arrijë vjetërsimi absolut për veprën penale – ndërtime të kundërligjshme.

Sipas Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, dënueshmëria për këtë vepër penale është nga tre muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa neni 90 par.1 pika 1.5 i Kodit  të Përkohshëm Penal të Kosovës parasheh se parashkrimi (vjetërësimi) për veprat penale të dënueshme me 5 vjet burgim ndodh pasi të kalojnë 5 vjet.

Tutje neni 91 par. 6 parsheh ndalimin e ndjekjes penale pasi të  kalojë dyfishi i kohës së parashkrimit e në rastin konkret dyfishi i parashkrimit është 10 vjet.

Vjetërsimi absolut i kësaj vepre penale do të ndodhë sot pasi këtë muaj u bënë 10 vite nga koha kur sipas aktakuzës është kryer vepra penale.

Aktakuza thotë se Fahri Retkoceri në gusht të 2010 në Lipjan në vendin ku ka qenë ish-fabrika e letrës duke vepruar me dashje ka filluar të ndërtojë objektin për banim kolektiv-banesa pa u pajisur me lejen urbanistike, leje ndërtimin dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Lidhur me këtë vepër penale i akuzuari Fahri Retkoceri ishte liruar nga Gjykata e Prishtinës më 5 nëntor 2018 për shkak se nuk ishte provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.

Për parashkrimin e kësaj vepre penale KALLXO.com ka kontaktuar edhe avokatin Ramë Gashin, mbrojtësin e të akuzuarit Fahri Retkoceri, i cili ka thënë se nuk mund të deklarohet për këtë çështje pasi gjendet jashtë vendit.

KALLXO.com ka pyetur edhe Gjykatën e Prishtinës për të marrë arsyetim se si ka arritur deri te parashkrimi  kjo vepër penale dhe përmes zëdhënëses Mirlinda Gashi, kemi pranuar këtë përgjigje:

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë pas kthimit të lëndës në rivendosje, ka caktuar disa seanca të shqyrtimit gjyqësor, ashtu që pas shumë përpjekjeve dhe dështimit të mbajtjes së ndonjë seance gjyqësore për shkak të mosprezencës së palëve në procedurë, megjithatë janë mbajtur disa seanca lidhur me këtë çështje penale”.

Tutje në përgjigjen e Gjykatës së Prishtinës thuhet se dy seanca kanë dështuar të mbahen për shkak se gjyqtari i çështjes Beqir Kalludra kishte rezultuar pozitiv me COVID-19.

“Pasi që ishin administruar provat e propozuara nga palët dhe rasti ishte në fazën e deklarimit të të akuzuarve, ku ishin caktuar në vazhdim dy seanca të shqyrtimit gjyqësor dhe  atë më datën 13.07.2020 dhe 17.07.2020, kohë kjo e mjaftueshme për përfundimin e gjykimit në këtë çështje penale, mirëpo që të dyja këto seanca kanë dështuar për shkak të gjendjes shëndetësore të kryetarit të trupit gjykues, i cili më datën 09.07.2020 kishte rezultuar në testin e Covid 19 pozitiv dhe trajtimi mjekësor kishte zgjatur afër dy muaj dhe sot më datën 31.08.2020 është dita e parë e punës pas trajtimit mjekësor dhe rehabilitimit të gjyqtarit-kryetarit të trupit gjykues. Andaj, bazuar në këto rrethana objektive, ka ardhë deri te parashkrimi i ndjekjes penale për këtë vepër penale, për të cilën vepër penale, ju kujtojmë se kjo gjykatë si gjykatë e shkallës së parë në gjykimin e parë e kishte liruar nga akuza të njëjtën në mungesë të provave” thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Ndërsa Shukri Buja, për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare është dënuar me 3 vjet burgim, Nebih Zeqiri ishte dënuar me 2 vjet burgum, ndërsa Halit Gashi u dënua me 6 muaj burgim i cili me pëlqimin e tij u zëvendësua në dënim me gjobë prej 3 mijë e 500 eurosh.

Fahri Viseshella ishte dënuar me 5 muj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me 6 muaj burgim i cili me pëlqimin e tij mund të shndërrohej me dënim me gjobë në shumë prej 3 mijë e 500 eurosh, Bajram Rizani ishte dënuar me 6 muaj burgim i cili mund të shndërrohej në dënim me gjobë prej 3 mijë e 500 euro.

Ndërsa nga akuza u liruan Burim Kodra, Driton Avdiu dhe Magbule Sadiku.

Megjithëkëtë, Gjykata e Apelit vendosi që i gjithë rasti të kthehet në rigjykim në Gjykatën e Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejen urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.

Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit.

Me çka dhe u akuzua nga Prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.

Por, disa të akuzuar kanë përfituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015.

Buja akuzohej nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga Komuna e Lipjanit me kompaninë “NEWCoFeronikelComplex LL. C.”.

Bashkë me Bujën të akuzuar në këtë rast janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Viseshella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Tre nga këta të akuzuar në kohën për të cilën ngarkohen ishin zyrtarë në Komunën e Lipjanit.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja, më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEWCoFeronikelComplex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEWCoFeronikelComplex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë Prokuroria pretendonte se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Të gjitha lajmet nga ky rast penal mund t’i lexoni në këtë link.