Gjykata Speciale e konfirmon vizitën e Hashim Thaçit në Kosovë

Ish-presidenti i Kosvës, Hashim Thaçi është duke qëndruar në Kosovë për një viztë familjare.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”- ka thënë Griep.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.