Gjykata merr vendim për zyrtarët e akuzuar të AKPPM-së

Ilir Dushi, Haki Ejupi dhe Gylten Kurda të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, u liruan nga akuzat e Prokurorisë, pasi Gjykata nuk ka gjetur prova se të njëjti i kanë kryet veprat që u viheshin në barrë.

“Janë liruar nga akuza, sepse nuk është provuar që të akuzuarit kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, tha gjyqtari Naser Foniqi.

“E dëmtuara Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, përmes përfaqësuesit të saj ligjor, për realizimin e kërkesës pasurore jurdike, nuk udhëzohet në kontest civil, sepse është deklaruar se nuk ndihet palë e dëmtuar”, tha më tutje gjyqtari Foniqi.

Palët e pakënaqura u njoftuan se pasi ta marrin aktgjykimin në formë të shkruar kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se i akuzuari Ilir Dushi në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, së bashku me Haki Ejupin si drejtor i Departamentit, Arian Zenelin dhe Gylten Kurdan si asistentë profesionalë në zyrën e banderolave në AKPM, kishin keqpërdorur pozitën e tyre.

Sipas aktakuzës të akuzuarit pas marrëveshje paraprake dhe me qëllim që t’i mundësojnë kompanisë “Asgeto” përfitim të dobisë pasurore, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, kishin lejuar që kjo kompani të pajiset me banderola edhe përkundër faktit se kishte licencë nga AKPM-ja, e që kjo kompani kishte importuar insulinë me një numër tjetër serik, vlera e të cilave importime arrin shumën 655,841,05 euro.

Aktakuza pretendonte se Ilir Dushi, Haki Ejupi, Arian Zeneli dhe Gylten Kurda kanë shtypur banderolat dhe insulinë më 2 nëntor 2012, të cilat më pas ishin dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë, e më pas ishin shpërndarë nëpër qendra të ndryshme mjekësore në vend.

I ngarkuar sipas kësaj aktakuze kishte qenë edhe Milot Cena, menaxheri i kompanisë “Asgeto”, i cili akuzohej se më 2 nëntor 2012 kishte dorëzuar insulinën me numër tjetër serik në Ministrinë e Shëndetësisë edhe pse nuk kishte licencë adekuate për atë produkt.

Me këtë, prokuroria e ngarkon për veprën penale “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, mirëpo këtij të njëjtit i ishte parashkruar vepra penale.