Gjykata i kërkon raporte shtesë Bankës për Biznes në gjykimin ndaj 7 të akuzuarve për dhënien e kredive

Nazmi Mustafa, Skender Blakçorri, Islam Zeka, Nail Reshiti, Ismet Brajshori, Pashkë Bala dhe Sherafedin Zhitia, janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale për lidhje të dëmshme të kontratës.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se duke punuar në ‘Bankën BpB’, kanë dhënë kredi në emër të disa bizneseve, ndërsa këto kredi nuk ishin shfrytëzuar nga biznesmenët në emër të të cilëve janë marrë.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, filiali i kësaj banke në Pikën Kufitare në Vërmicë kishte bërë marrëveshje me disa klientë të ‘BpB’-së që nëse nuk kanë para për t’ua paguar doganën mallrave që sillnin përmes kësaj pike, banka do t’ua paguante zhdoganimin.

Këta bankierë ishin dënuar në dhjetor të vitit 2015, por rasti më pas ishte kthyer në rigjykim.

Atëherë, Nazmi Mustafa, Skender Blakçori dhe Islam Zeka ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës me nga 3 vjet burg, ndërsa Nail Reshiti dhe Ismet Brajshori me nga dy vjet e gjashtë muaj burg.

Për lidhje të kontratave të dëmshme Pashkë Bala ishte dënua me dy vjet burg, ndërsa për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi Sherafedin Zhitisë i ishte shqiptuar dënimi prej 1 vit e gjashtë muaj burg.

Në seancën e sotme kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hyseni, refuzoi propozimin e prokurores Habibe Salihi për dërgimin e lëndës për ekspertizë të tretë, të cilin propozim e kishte mbështetur nga seanca e kaluar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Dastid Pallaska, pasi që ekspertizat ishin kundërthënëse mes tyre.

Lidhur me këtë gjyqtarja Shpresa Hasaj- Hyseni deklaroi se pala e dëmtuar mund të angazhohet vet për përpilimin e një ekspertize tjetër të re.

Në seancën e sotme, gjyqtarja Hasaj- Hyseni kërkoi nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, ‘Bankës për Biznes’ (BpB),  që të sjellë raportin e auditimit të jashtëm të bërë për periudhën 2003-2005, periudha dëshmuese nga kompanitë e jashtme “KPMG”, (që është bërë në vitin 2003 sipas shkresave të lëndës) nga kompania “Deloitte” që është bërë në vitin 2004, raporti i Bankës Qendrore që në atë kohë ka qenë ABQK, si dhe raporti i bërë me rastin e inspektimit të brendshëm të kësaj banke.

Gjyqtarja Shpresa Hasaj- Hyseni deklaroi se këto raporte asnjëherë nuk i janë paraqitur gjykatës nga pala e dëmtuar apo edhe nga prokurorja e çështjes, dhe trupi gjykues konsideron që janë mëse të rëndësishme, sepse periudha 2003/2005, është periudha që flitet për penaltitë që kanë ndodhur me “BpB”, janë bërë auditimet dhe këto raporte gjykatës nuk i janë dorëzuar asnjëherë.

Si rrjedhojë e kësaj, gjykata edhe një herë obligoi palën e dëmtuara “BPB”, që gjykatës t’ia sjellë këto raporte të përkthyera në gjuhën shqipe, e pas vlerësimit të tyre gjykata të vazhdojë me seancat e shqyrtimit gjyqësor.

Të akuzuarit dhe mbrojtësit u pajtuan që pala e dëmtuar, të sjellë raportet e kërkuara nga gjykata, e pastaj varësisht prej këtyre raporteve të rrjedhë procedura. Por, nuk u pajtuan që në këtë fazë pala e dëmtuar të përpilojë ekspertizë të re, duke pasur parasysh ekspertizat që janë bërë deri më tani dhe meqenëse çështja është në rigjykim

“Kërkojmë që të bëhet ballafaqimi i të dy ekspertëve të cilët kanë dhënë mendimet e tyre e  që dallojnë thelbësisht njëra me tjetrën”, tha prokurorja Habibe Salihi.

Lidhur me këtë përfaqësuesi i “BpB”, avokati Dastid Pallaska tha se “Në mbështetje të propozimit të prokurores së shtetit për ballafaqimin e ekspertizave, dëshiroj të nënvizoj faktin se ky ballafaqim është më se i nevojshëm kur merret parasysh se vet ekspertiza e zotit Bali Morina dhe të tjerëve në faqen 3 ka pranuar shprehimisht se nuk ka shqyrtuar dokumente të cilat gjykata i përmendi në fillim të kësaj seance, të cilat sipas vlerësimit të gjykatës janë qenësore për objektin e ekspertimit”.

Prokurorja e shtetit, Habibe Salihi propozimin lidhur me ballafaqimin e ekspertëve e arsyetoi me dëmin e shkaktuar ndaj “BpB”,

”Ndërsa pyetje të tjera të cilat do t’ia parashtrojmë ekspertëve do t`i formulojmë në mënyrë të shkruar”, tha ajo.

Lidhur me këtë propozim të prokurores gjykata do të vendos pas pranimit të raporteve nga pala e dëmtuar, tha gjyqtarja Shpresa Hasaj- Hyseni.

Ndërsa pala e dëmtuar “BpB” u detyrua që deri më datë 27.2.2020, gjykatës t`ia sjellë raportet e kërkuara më lartë si dhe nëse e shohin të arsyeshme të përpilojnë edhe ekspertizë të re, lidhur me objektin e aktakuzës për periudhën 2003/2005 që precizohet në aktakuzë.

Seanca e radhës më 27.2.2020, në ora 10:00

Suspendimi i Prokurorit Shtyn Gjykimin e Zyrtarëve të BPB-së