Gjykata e Gjakovës jep bilancin për vitin 2019-të

 

Gjykata e Gjakovës njofton se vitin 2019 e ka përmbyllur me 159% efikasitet në raport me lëndët e pranuara dhe ato të zgjidhura.

“Gjykata e Gjakovës gjatë periudhës kohore janar  e deri në dhjetor të vitit 2019, ka arritur të zgjidh një numër të konsiderueshëm të lëndëve, krahasuar me lëndët e pranuara, del të jetë numri më i madh i lëndëve të zgjidhura”, thuhet në njoftimin e gjykatës së Gjakovës.

Këto të dhëna janë bërë të ditura në takimin e kolegjiumit, ku kanë marrë pjesë të gjithë gjyqtarët e Gjykatës se Gjakovës nga U. D.

Në këtë takim kryetari i Gjykatës së Gjakovës, Nikollë Komani, ka bërë të ditur se gjyqtarët i kanë dhënë një rëndësi zgjidhjes së lëndëve të vjetra.

“Në bazë të statistikave lëndë të trashëguara kemi 14.015, të pranuara 5778 lëndë, kemi arritur të zgjidhim 9229 lëndë, ndërsa në punë kanë mbetur edhe 10.564 lëndë apo 3451 lëndë më pak se vitin e kaluar apo shprehur në përqindje, 30% më efikas se vitin e kaluar. Kjo po tregon që numri i lëndëve po vazhdon të bie në Gjykatën tonë”, thuhet në njoftim.

Kjo gjykatë, ka arritur të zgjidh një numër të konsiderueshëm të lëndëve, krahasuar me lëndët e pranuara, nga 5778 lëndë të pranuara, kemi arritur të zgjidhim 9229 lëndë, apo shprehur në përqindje 159 % efikasitet.

Sa i përket lëndëve të natyrës së korrupsionit, Komani ka theksuar se janë trashëguar 11 lëndë të korrupsionit, ndërkohë janë pranuar 10 lëndë të kësaj natyre (gjithsejtë 21 lëndë), prej tyre janë zgjidhur 12 lëndë, kanë mbetur në punë edhe 9 lëndë.

“Dua të them që këto lëndë kanë një prioritet të lartë nga Gjykata jonë dhe të gjitha janë në procedurë, që nënkupton që shumë shpejt do të marrin epilog”, ka shtuar ai.

Situatë e njëjtë është edhe në degët e saj në Rahovec dhe Malishevë. Gjykata e Gjakovës, Dega Rahovec, ka arritur të zgjidh një numër të konsiderueshëm të lëndëve, krahasuar me lëndët e pranuara, nga 3494 lëndë të pranuara, ka arritur të zgjidh 6535 lëndë, apo shprehur në përqindje 187 % efikasitet.

Në anën tjetër, Dega në Malishevë nga 4597 lëndë të pranuara, ka arritur të zgjidh 5419 lëndë, apo shprehur në përqindje 118 % efikasitet.

Në këtë takim të fundvitit, si shqetësim është paraqitur plotësimi i numrit të gjyqtarëve.

“Këtë vit kemi të pensionuar 2 gjyqtarë, një në Degën e Rahovecit dhe një gjyqtar në Degën e Malishevës si dhe një avancim në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, tha Komani.

Gjykata e Gjakovës çdo ditë e më shumë po punon në rritjen e transparencës me mediat dhe publikun, gjatë këtyre 12 muajve janë arritur të publikohen 1242 aktgjykime në ueb-faqen e gjykatës, apo 731 aktgjykime më shumë se vitin e kaluar dhe mbi 140 komunikime me media dhe organizata të ndryshme jo qeveritare përmes Zyrtarit për Informim dhe Monitorim të Mediave.