Ilustrim

Gjilan, ndalohet avokati, dyshohet se tentoi të fuste në Qendrën e Paraburgimit një telefon

Në Qendrën e Paraburgimit Gjilan oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë futjen e një telefoni celular me SIM kartelë brenda Qendrës.

Kështu ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Oficerët korrektues gjatë kontrollit në portën hyrëse të Qendrës kanë hetuar se avokati, Y.H, në çantën e  tij të dorës kishte një telefon mobil të tipit “Nokia” me SIM Kartelë, për të cilin dyshohet se tentonte ta fuste brenda Qendrës.

“Me të hetuar këtë veprim, i menjëhershëm ka qenë reagimi i stafit përgjegjës për siguri, i cili ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë lokalizuar provat materiale”, ka bërë të ditur shërbimi Korrektues i Kosovës.

Gjithashtu është bërë e ditur se lidhur me rastin janë njoftuar Policia dhe Oda e Avokatëve të Kosovës, të cilët po merren me rastin.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive negative, ku hyjnë luftimi i kontrabandës, substancave narkotike, dhe nuk do të lejojë në asnjë mënyrë rrezikim e institucioneve korrektuese me dukuritë dhe veprimet e tilla”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.