Ilustrim

Eprori rrëfen momentin kur Policia u sulmua me top dore e kallashnikov

Në gjykimin për sulmin ndaj zyrtarëve policorë të UNMIK-ut dhe atyre të Kosovës, ngjarje kjo e cila kishte ndodhur në vitin 2004, sulm për të cilin akuzohen Bedri Krasniqi e Alban Dizdari, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuari edhe shefi i njësisë së hetimeve të asaj kohe, Isak Ejupi.

Ai tha se në ditën kritike në ora 22:00 kishte pranuar një telefonatë që të shkonte në stacion me arsyetimin që ka ndodhur diçka e madhe. Mirëpo nuk e kishte kuptuar ende se çfarë ka ndodhur.

Më pas ai kishte thirrur një njësit që të vinin dhe ta merrnin ku edhe ishte njoftuar për vrasjen e dy policëve.

Pasi patrulla policore kishte ardhur afër shtëpisë së tij dhe po i tregonin për identitetet e policëve të vrarë, para tyre kishin kaluar veturat e përshkruara si të dyshuara, një veturë “Mercedes” i bardhë dhe një veturë “Opel”.

Në momentin kur këto vetura kishin vërejtur veturën e policisë ishin kthyer në udhëkryq dhe dëshmitari Isak Ejupi së bashku me dy policë të tjerë ishin vënë pas veturës “Mercedes”.

Makina “Mercedes”, e dyshuar kishte shkuar drejt një rruge të cilën dëshmitari e quan “rrugë pa krye”.

Duke parë se nuk kishin dalje, vetura e tipit ”Mercedes” kishte ndaluar, nga vetura kishin dalur tre persona dhe njëri prej tyre me armë zjarri kishte shtënë në drejtim të policëve.

Ndërsa personi i tretë kishte hedhur top dore (nitroglicerinë) gjithashtu në drejtim të policëve.

Sipas rrëfimit të Isak Ejupit policët i ishin përgjigjur me zjarr këtij sulmi.

Pas kësaj, sipas tij tre të dyshuarit ishin larguar në errësirë prapa shtëpisë së Shaban Ejupit dhe nuk i kishin parë më.

Në vendin e ngjarjes ishin gjetur së paku 25 gëzhoja të armës, një radiolidhje e ngjashme me ato që posedonin policët, një bateri ndriçuese gjithashtu të ngjashme me ato të policisë, ndërsa gjurmët e goditjes së topit të dorës ishin gjetur pas dy ditëve në murin e rrethojës së shtëpisë së Ali Ejupit.

Pyetjes së prokurores së rastit, Habibe Salihu, nëse ai kishte arritur t`i identifikonte këta tre persona, ai u përgjigj se nuk kishte arritur të i identifikonte për shkak të errësirës.

I pyetur nga prokurorja Salihu nëse si zyrtar policor kishte kuptuar se kush kanë qenë këta persona, ai u përgjigj se “dyshimin e kemi pasur në momentin kur i kemi gjetur dëshmitë, radiolidhjen dhe baterinë kemi dyshuar që njëri prej tyre mund të jetë Shkumbin Mehmeti. Më vonë gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është dhënë një informatë që një person pa shenja jete gjendet në shtëpinë e Naim Ejupit dhe nga kolegët e kam kuptuar që i dyshuari është Agron Sylejmani, i vrari që ka qenë me veturën tjetër “Opel” unë nuk e kam ditë deri sa kam marrë informata”.

Ejupi tutje tha se personat e tjerë edhe sot nuk e di se kush kanë qenë.

Ky rast gjyqësor ka të bëjë me vrasjen e një polici të UNMIK-ut dhe një polici të Kosovës, si dhe tentim vrasjen e dy zyrtarëve tjerë të Kosovës dhe UNMIK-ut.

Kjo ngjarje ka ndodhur më 23 mars 2004 gjatë trazirave të cilat kishin filluar pas pretendimeve për mbytjen e dy fëmijëve shqiptarë në lumin ‘Ibër’ në Mitrovicë.

Sipas aktakuzës, më 23 mars 2004, një patrullë e UNMIK-ut ishte sulmuar në Podujevë, në rrugën për në Prishtinë.

Një grup i madh i personave shkrepën disa plumba ndaj patrullës së UNMIK-ut duke vrarë vozitësin, policin e UNMIK-ut Possible Essuman dhe zyrtarin e Policisë së Kosovës, Arsim Rrustolli, i cili ishte në ulësen e përparme të udhëtarit, si dhe pësuan lëndime nga plumbat e shkrepur zyrtari policor i Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli, të cilët ishin në ulësen e pasme.

Të akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017-ës, ka nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre.

Në vendimin e Supremes thuhet se Bajram Kiqmari e Faik Shaqiri lidhur me këtë rast janë gjykuar disa vite më parë dhe se ndaj tyre ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve.

Me 9 nëntor 2007, Gjykata e atëhershme e Qarkut e Prishtinës e kishte shpallur fajtor Shkumbin Mehmetin për sulmin ndaj zyrtarëve të UNMIK-Ut dhe e kishte dënuar me 30 vjet burgim.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur më këtë rast.

 

https://kallxo.com/deshmitari-ramush-haradinaj-ndikoi-ne-lirimin-e-nje-njeriu-nga-burgu/

.