Ekskluzive: Tre persona akuzohen se zbuluan importe nga Serbia të djemve të Isa Mustafës

Tre persona po akuzohen për keqpërdorim pasi printuan të dhëna të cilat dëshmonin për importe të kompanisë së djemve të Isa Mustafës nga Serbia.

Isa Shiti, Enliat Shala dhe Ramadan Latifaj përballen sot në Gjykatën e Ferizajt me akuzat se printuan transaksionet që kompania “MAKCAR” L.L.C, me pronar Besnik Mustafën, kishte me një kompani nga Serbia.

Gjatë kësaj seance në cilësi të palës së dëmtuar dhe si dëshmitar pritet të dëshmojnë edhe dy djemtë e Isa Mustafës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se të akuzuarit Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala me datë 10 mars 2016 në Degën Rajonale të doganës në Ferizaj si persona zyrtar duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që personit tjetër t’i shkaktoj dëm në atë mënyrë që me kërkesë të pandehurit Enliat Shala i pandehuri Ramadan Latifi ka hapur sistemin Asyeuda në kompjuterin e punës në zyrën e Isa Shitit dhe ka printuar deklaratën unike doganor (DUD), te importuesit “MAKCAR” L.L.C, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës BMË nga ndërmarrja “Delta Motors”, D.O.D me seli në Beograd të Serbisë, e cila është publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmtimit për ndërmarrjen dhe pronarin e saj.

Lidhur me këto veprime Prokuroria pretendon se Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala në bashkëkryerje kryen edhe veprën penale të komunikimit të paautorizuar të sekretit tregtar.

Më tej Prokuroria pretendon se Enliat Shala së bashku me të akuzuarin tjetër Isa Shiti gjashtë ditë më pas, me 16 mars 2016 afër vendkalimit kufitar Hani i Elezit, përderisa Enliat Shala si person zyrtar, doganier në degën rajonale të doganës në Ferizaj së bashku me Isa Shitin shpediter në “Interevropian”, me seli në Han të Elezit, me pronar Arben Mustafën me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm kanë vepruar në atë mënyrë që me kërkesën e të akuzuarit Enliat Shala i akuzuari tjetër Isa Shiti ka hapur sistemin Asyeuda në kompjuterin e punës në zyrën e tij dhe ka printuar Deklaratat Unike Doganore të importuesit “MAKCAR” L.L.C, të pronarit Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës BMW nga ndërmarrja “Delta Motors”, D.O.D me seli në Beograd të Serbisë, e cila është publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmtimit për ndërmarrje dhe pronarit të saj, që sipas Prokurorisë dy të akuzuarit në bashkëkryerje kryen verën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.