E akuzuara për falsifikim të 100 eurove nuk paraqitet në Gjykatë

Dështon të mbahet seanca fillestare, ndaj Nexhmedin Hysenit dhe Shahadije Hasanit, të cilët akuzohen për veprën penale falsifikim i parasë.

Sipas aktakuzës i pandehuri Nexhmedin Hyseni në bashkëkryerje me Shahadije Hasanin, me datë 27 shtator 2011, në një bastore – kazino, në Lipjan e kanë vënë në qarkullim një kartëmonedhë të falsifikuar në vlerë prej 100 euro.

Arsye e mos-mbajtjes së kësaj seanca ishte mungesa e të akuzuarës Shahadije Hasani.

“Mungon e akuzuara Shahadije Hasani, për të cilën Gjykata nuk disponon prova që e njëjta është thirrur në mënyrë të rregullt, për arsye se fletë kthesa nuk është kthyer”, tha gjykatësi Vesel Ismaili.

Tutje gjykatësi Ismaili, bëri të ditur se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës gjyqësore, dhe shtoi se ndaj të akuzuarës Hasani, Gjykata do të lëshoj urdhëresë për shoqërim.

Kurse të pranishëm në sallën e gjykatës ishin prokurorja Shemsije Asllani, i akuzuari Nexhmedin Hyseni së bashku me mbrojtësin e tij avokatin Naim Krasniqin, si dhe mbrojtësi i të akuzuarës Hasani, avokati Bardh Ademaj i caktuar sipas detyrës zyrtare.

Seanca e radhës është caktuar për datën 9 shtator.

Sipas aktakuzës i pandehuri Nexhmedin Hyseni në bashkëkryerje me Shahadije Hasani, me datë 27 shtator 2011, në një bastore – kazino, në Lipjan e kanë vënë në qarkullim një kartëmonedhë të falsifikuar në vlerë prej 100 euro.

Tutje në aktakuzë thuhet se Nexhmedin Hyseni ja ka dhënë kartëmonedhën e falsifikuar të pandehurës Hasani, duke i treguar se është e falsifikuar, ashtu që e njëjta e ka marrë dhe ka shkuar në bastore-kazino, duke e ndërruar paranë e falsifikuar me 5 monedha me nga 20 euro.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – falsifikim i parasë.