Drejtori i Komunës së Prizrenit dëshmitar në gjykimin e shefit të Prokurimit për shkeljet ligjore që ka raportuar Kallxo.com

 

Kallxo.com në shkurt të vitit 2019 ka raportuar për zbatimin e kundërligjshëm të kontratës nga Komuna e Prizrenit.

Një tender maratonik për shenjëzimin horizontal të rrugëve në Prizren përveç se zvarriti rregullimin e synuar të trafikut të këtij qyteti, u përmbyll me shkelje ligjore dhe mosrespektim të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Gjashtë dëshmitarë janë dëgjuar në gjykimin ndaj shefit të zyrës së Prokurimit në Prizren, Isa Osmankaj.

I njëjti po akuzohet se me dije e ka shkelur ligjin lidhur me detyrat e tij, si dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij, pasi që duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit mbi Prokurimin publik, ka lejuar implementimin e një kontrate që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e kishte shpallur joekzistente.

Isa Osmankaj ka mohuar akuzat e Prokurorisë, duke u deklaruar i pafajshëm.

Osmankaj u deklarua i pafajshëm pas leximit të akuzave nga ana e prokurores së rastit Ervehe Gashi.

Prokurorja Gashi tha se me provat e paraqitura nga Prokuroria, e që janë në total 48 prova materiale do të vërtetohen pretendimet për akuzat ndaj shefit të zyrës së Prokurimit në Prizren.

“Kemi të bëjmë me një procedurë administrative që është dashur të zgjidhet në procedurë administrative e jo në procedurë penale”, tha mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Skender Morina.

I njëjti konsideron se i mbrojturi i tij nuk ka kryer vepër penale, dhe se për këtë do të ofrojnë prova shtesë gjatë gjykimit.

Edhe pse me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Isa Osmankaj vazhdon të mbaj të njëjtën pozitë në Komunën e Prizrenit, i njëjti vazhdon t`i nënshkruajë kontrata e lidhura ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe operatorëve Ekonomik.

Kallxo.com ka raportuar se i njëjti së fundmi ka nënshkruar  një kontratë në vlerë prej 43 mijë eurove për reklamim të punës së Komunës.

Liman Asllani konsiderohet si palë e dëmtuar në këtë proces, andaj i njëjti u ftua i pari si dëshmitar i rastit.

Dëshmitari Asllani tha se është dëmtuar në procedurën e tenderimit, ngase përkundër faktit që ka poseduar të gjitha mjetet e punës, forcën punëtore dhe të gjitha kushtet tjera është diskriminuar nga zyra e prokurimit.

“Operatori ‘Sinjalizimi” është favorizuar duke përfituar shumën rreth 350 mijë Euro”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tjetër i propozuar nga Prokuroria ka qenë Naim Kuka, zyrtar ligjor në zyrën e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

I njëjti tha se me vendim të kryetarit të Komunës është caktuar anëtar në komisionin për vlerësimin dhe rekomandimin e dhënies së kontratës për shenjëzimin e rrugëve në Komunën e Prizrenit.

“Si anëtarë të komisionit kemi pasë me i vlerësu vendimet e OSHP-së, dhe kontratën e nënshkruar paraprakisht me ‘Sinjalizimin’ dhe shkresat e lëndës”, tha dëshmitari duke shtuar se komisioni i ka pasur të gjitha shkresat e lëndës, dhe në fund të punës së tyre kanë përpiluar një raport të punës me vlerësimet e tyre.

Dëshmitari tha se ka qenë në dijeni që kontrata për shenjëzimin e rrugëve është shfuqizuar nga organi i OSHP-së. “Kam mëndu që edhe kjo ka efekt juridik”, tha ai.

Kuka tha se edhe pse në komisionin për vlerësimin e kontratës kanë qenë pesë anëtarë, vetëm tre anëtarë të Komisionit e kanë nënshkruar kontratën, dhe sipas dëshmitarit “Pasi që shumica e kanë nënshkruar raportin atëherë fiton fuqinë juridike“.

Udhëheqësi i auditimit të brendshëm në Komunën e Prizrenit Agron Hoxha ishte dëshmitari i radhës, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e komisionit për vlerësimin e dhënies së kontratës për shenjëzimin horizontal dhe vertikal të rrugëve në Komunën e Prizrenit.

Dëshmitari Hoxha ka thënë se ka qenë përgjegjësi e zyrës së Prokurimit për t`i ofruar Komisionit informata dhe shkresa për të bërë vlerësimin e procesit, dhe se raporti i vlerësimit është përpiluar nga këtu i akuzuari Isa Osmankaj, ndërsa anëtarët e Komisionit pasi që e kanë lexuar e kanë nënshkruar, mirëpo dëshmitarit nuk i kujtohej se a e kanë nënshkruar të gjithë anëtarët e komisionit këtë raport.

Fejsall Hoti, udhëheqës i shërbimit publik në Komunën e Prizrenit në cilësi të dëshmitarit u morr në pyetje para trupit gjykues.

I njëjti ka qenë pjesë e komisionit të formuar nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, dhe tha se detyrë e këtij komision ka qenë statusi i kontratës aktuale.

“Kemi pas me marrë një rekomandim a do të vazhdohet me këtë kontratë apo duhet të anulohet, me sa di unë detyra e jonë ka qenë dhënia e rekomandimit“, tha dëshmitari i cili ka qenë kryetar i këtij Komisioni.

Ndërsa komisioni rekomandimet e tij i ka dhënë duke u bazuar në dokumentacionin e ofruar nga zyra e prokurimit.

Dëshmitari tha se komisioni ka qenë i ndarë sa i përket idesë rreth përpilimit të raportit.

“Unë kam rekomanduar që vendimi i OSHP-së është obligativ për ne, sepse mendoj që OSHP është organ më i lartë administrativ se Komuna“, tha dëshmitari.

“OSHP-ja ka rekomanduar që kjo kontratë për shenjëzimin e rrugëve të shfuqizohet“, tha dëshmitari duke u bazuar në shkresat që i ka ofruar zyra e prokurimit.

Dëshmitari tha se raportin e përpiluar i`a ka përcjell në mënyrë elektronike kryetarit të Komunës Haskuka.

“Pasi që ai ka qenë personi i duhur që ka marrë vendim për formimin e këtij komisioni“, tha ai.

Dëshmitari në fund tha se nga i akuzuari Isa Osmankaj si shef i zyrës së prokurimit asnjëherë nuk ka marrë rekomandim apo udhëzim që kjo kontratë duhet të ekzekutohet.

Bashkëpunëtori profesional në Komunën e Prizrenit, Përparim Shala, ka qenë dëshmitari i radhës, duke thënë se kryetari i Komunës i ka caktuar në Komision dhe iu ka dhënë detyra të caktuara për të vlerësuar kontratën.

“Në fund kemi pas me përpilu një raport  në bazë të punës së komisionit“, tha dëshmitari.

I njëjti tha se anëtarët e komisionit kanë qenë të ndarë në dy mendime andaj edhe janë përpiluar dy raporte.

“Kemi thënë që të shkohet me rekomandimin e OSHP-së, se vendimet e OSHP-së duhet me i zbatu ne“, tha dëshmitari.

Ndërsa në përfundim deklaroi se nga i akuzuari Isa Osmankaj si shef i zyrës së prokurimit nuk kanë pasur rekomandim për të zbatuar kontratën e cila është objekt i akuzës.

Të dy dëshmitarët Përparim Shala dhe Agron Hoxha u ballafaquan me deklaratat e tyre të dhëna në Polici kur kishin thënë se punimet janë duke u zbatuar në bazë të rekomandimeve dhe urdhëresës së Drejtorit të Shërbimeve Publike, e asnjëri nuk i mohoi këto deklarata.

Levent Kasemi, drejtor i Shërbimeve Publike ka qenë njëri ndër gjashtë dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria, i njëjti ka thënë se kur ka ardhur  në detyrë e ka gjetur kontratën e nënshkruar nga ish kryetari i Komunës Ramadan Muja.

“Kryetari i Komunës Mytaher Haskuka ka formuar një komision, dhe pasi që kam bisedu me zyrën e Prokurimit ata kanë thënë se kontrata ka efekt juridik, prandaj edhe kemi vazhduar me zbatimin e Kontratës“, tha drejtori Kasemi.

Në seancën e ardhshme të datës 19 mars, para trupit gjykues me kryetaren Ajser Skenderi do të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit Agim Sheqiri. Eksperti i cili ka punuar ekspertizën financiare që është pjesë e aktakuzës.

Sipas Prokurorisë në këtë mënyrë, Isa Osmankaj  ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik dhe me dispozitat e Ligjit mbi Financat Publike, duke i mundësuar Operatorit ekonomik zbatimin e një kontrate jo ekzistente në vlerë prej 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163,254.72 euro.

Prokurorja Ervehe Gashi që përfaqëson aktakuzën, ka propozuar gjithashtu që ndaj të pandehurit Isa Osmankaj t’i shqiptohet dënimi plotësues Ndalim i ushtrim të funksionit në Administratë Publike.

Shkresa për shkeljet ligjore nga  BIRN dhe  Internews Kosova, është pjesë e aktakuzës si informatë që është dërguar në zyrën e kryeprokurorit të shtetit lidhur me shkeljet ligjore në tenderin ”Shenjëzimi horizontal e vertikal dhe vendosa e barrierave në rrugët e Prizrenit ”.

Pas shqyrtimit të gjithmbarshëm prokurori i shtetit ka ardhur në përfundim se objekt i veprës penale janë shkeljet ligjore në tenderin ”Shenjëzimi horizontal e vertikal dhe vendosa e barrierave në rrugët e Prizrenit ”.

KALLXO.com ka raportuar se kontrata që peshon 358 mijë euro ishte nënshkruar në muajin korrik të vitit 2017, gjatë kohës kur kryetar i Komunës së Prizrenit ishte Ramadan Muja. OSHP-ja kishte vendosur për ta shfuqizuar këtë kontratë, pasi sipas tyre nënshkrimi i kontratës me këtë operator është bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Por, kryetari aktual i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka vendosur ta zbatojë këtë kontratë.

Haskuka, kishte thënë se është i detyruar të zbatojë kontratën për shkak të interesit publik për mos zgjatje të procedurave për shërbimin e blerë dhe pasi sipas tij një kontest eventual gjyqësor për këtë çështje do ta bënte humbëse Komunën e Prizrenit.