Foto: Gjykata Themelore në Gjilan

Drejt fundit gjykimi ndaj zyrtarit të Komunës së Gjilanit i akuzuar për falsifikim të vërtetimeve tatimore

Bekim Korça, zyrtar i tatimit në pronë në Komunën e Gjilanit, sërish ka dalë para gjykatësit në Gjilan pasi nga Prokuroria po akuzohet se ka falsifikuar vërtetimet tatimore, për t’u përballur me dëshmitarin e fundit në këtë proces.

Në seancën e sotme gjyqësore, është dëgjuar dëshmitari i fundit Edmond Hasani të cilin e ka propozuar Prokuroria.

Dëshmitari Edmond Hasani, punonjës në një kompani të sigurimeve deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në Polici. Ai tha se klienti Ajet Ajeti, kishte shkuar me vërtetim të tatimit në pronë dhe e ka dorëzuar tek ai në kompani, dhe se në vërtetimin e sjellur ka shkruar emri i klientit, ndërsa nuk ka shkruar emri i babait të tij.

“Në atë periudhë nuk e di se kush ka qenë zyrtar i tatimit në pronë, ndërsa të akuzuarin e njoh si zyrtar komunal që punon te tatimi në pronë. Kam pasur raste kur kam shkuar për vete dhe për të tjerët për ta nxjerrë vërtetimin e tatimit në pronë, dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që ta merrte vërtetimin e tatimit në pronë, pa e paguar tatimin”, tha dëshmitari Hasani.

Pas dhënies së dëshmisë së dëshmitarit, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Korça, avokati Hamdi Jashari, i propozoi trupit gjykues që t’i administrojë disa prova materiale të cilat i kishte siguruar i akuzuari Korça, e të cilat sipas avokatit vërtetojnë faktet e përmendura nga mbrojtja.

Megjithatë, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Islam Thaçi, refuzoi propozimin e tillë me arsyetimin se provat janë të pa nënshkruara, të pa vulosura, dhe të pa protokolluara nga organi përgjegjës, por me mundësinë që nëse të njëjtat legjitimohen do të mund të merren si prova të pranueshme.

Pas përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme u shty për 3 nëntor.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Bekim Korça, në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, në vazhdimësi (nga viti 2018 e deri në vitin 2019), ka falsifikuar dokumente zyrtare-vërtetime mbi kryerjen e pjesërishme ose të plotë të obligimeve tatimore, duke futur të dhëna të pavërteta me qëllim që persona të caktuar t`i iknin pagesës së tatimit në pronë.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Korça në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa të Komunës së Gjilanit ka lëshuar 6 vërtetime të pavërteta në emër të personave të tjerë, me qëllim që personat të cilëve ua ka lëshuar ato vërtetime mos të paguajnë tatimin në pronë dhe të njëjtat vendime i ka nënshkruar me qëllim të përdorimit të tyre si të vërtetë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

Zyrtari i Komunës së Gjilanit i akuzuar për falsifikim të vërtetimeve tatimore sërish para Gjykatës