Foto e ilustruar

Dosja e Prokurorisë: I akuzuari drogën e kishte fshehur në kutinë e ndihmës së parë

Shtyhet gjykimi ndaj Fatbardh Abazit, i akuzuar për posedim të narkotikëve në Gjykatën e Mitrovicës.

Abazi po akuzohet për posedim të paautorizuar të drogës të cilën sipas prokurorisë e kishte fshehur në kutinë e ndihmës së parë në veturën e tij.

Arsyeja e shtyrjes së seancës kishte të bënte me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Abazi, njoftoi avokati Musa Damati.

Gjykatësja e rastit Branka Semenov seancën e shtyu në kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës Fatbardh Abazi me 15 dhjetor 2020 rreth orës 19 e 30, ishte ndaluar nga Njësia Hetimore për luftë kundër narkotikëve në fshatin Lushtë të Mitrovicës.

Prokuroria thotë se  pas kontrollës së realizuar nga njësia hetimore në veturën e tipit “ Mercedes” të akuzuarit Abazi, i ishte gjetur një pako cigare me narkotikë të llojit marihuanë në peshë 9.41 gramëve në kutinë e ndihmës së parë, duke kryer kështu veprën penale posedim i paautorizuar i narkotikëve.

“Klienti im Fatbardh Abazi e ka prezumimin e pafajësisë të garantuar me ligjin në fuqi, dhe është tërësisht i pafajshëm, derisa nuk vërtetohet e kundërta me aktgjykimin e plotfuqishëm. Ky rast penal do të vazhdoj pas përmbushjes së kushteve procedurale dhe bazuar në provat të cilat i kemi, besojmë në përfundimin i cili do të konfirmoj pafajësinë e plotë të tij”, ka thënë për KALLXO.com, avokati Musa Damati.