Dështon të nisë seanca ndaj të akuzuarve për vjedhjen e 280 mijë markave gjermane në vitin 2002

Në Gjykatën e Gjilanit ka dështuar të mbahet seanca ndaj Florim Gashit dhe Arsim Ismajlit, të akuzuar për vjedhjen e 280 mijë markave gjermane dhe një sasie të arit në maj të vitit 2002 në Gjilan.

E akuzuar në këtë rast është edhe Valdete Berisha, Ajo po akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale.

Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarve Florim Gashi dhe Arsim Ismajli.

Në seancën e cila ishte paraparë të mbahej sot në Gjykatën e Gjilanit, mbrojtësi i të dëmtuarit Avdullah Murati, avokati Veton Rrecaj, tha se klienti i tij është dëmtuar dy herë, pasi kjo çështje tashmë është në prag të parashkrimit.

“Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë më një çështje juridiko penale mjaft të vjetër dhe e cila gjendet faktikisht para parashkrimit, konsiderojmë se përfaqësuesi im në këtë rast përveç që ka qenë dhe është i dëmtuar nga veprimet e të akuzuarve, lidhur me këtë çështje konsideroj se i njëjti në rastin konkret është dy herë i dëmtuar, si rezultat i mosefikasitetit të sistemit të drejtësisë”, tha avokati Rrecaj.

Sipas avokatit, kualifikimi juridik i veprës penale është bërë gabimisht qysh në fillim.

Tutje sipas tij, duke analizuar deklaratën e të dëmtuarit dhe dëshmitarëve të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes në kohën e kryerjes së veprës penale si dhe disa raporteve nga vendi i ngjarjes dhe përmbledhjet e Policisë lidhur me rastin, vijmë në përfundim se kualifikimi juridik lidhur me këtë çështje penale nga ana e Prokurorisë qysh në fillim është bërë gabimisht.

“Në rastin konkret konsiderojmë se kemi të bëjmë me veprën penale grabitje me armë ashtu siç është theksuar në raportet e Policisë, e çuditërisht prokurori ka bërë një kualifikim jo të duhur. Një gjë e tillë konfirmohet edhe me vetë dispozitivin e aktakuzës”, tha në fund avokati Rrecaj.

Seanca e sotme u ndërpre pasi në seancë munguan dy nga të akuzuarit. Andaj seanca e radhës u caktua për më 8 nëntor.

Sipas aktakuzës së atëhershme të Prokurorisë së Qarkut në Gjilani, Florim Gashi, Arsim Ismajli dhe Valdete Berisha,  më 29 janar 2002, rreth orës 09:30, në lagjen “Dardania II”, në Gjilan, i akuzuari i parë Florim Gashi, në shoqëri me Arsim Ismajlin dhe dy persona tjerë tani të pazbuluar, kanë kryer vjedhjen grabitqare në shtëpinë e të dëmtuarit Avdullah Murati.

Tutje sipas aktit akuzues, të akuzuarit më parë janë marrë vesh që të kryejnë vjedhjen grabitqare dhe të njëjtit janë armatosur dhe janë maskuar duke shfrytëzuar mungesën e anëtarëve të familjes të të dëmtuarit, të cilët më parë i ka përgatitur e akuzuara Valdete Berisha.

Në vazhdim aktakuza thotë se Valdete Berisha i ka njoftuar dy të akuzuarit se në shtëpinë e të dëmtuarit gjinden vetëm tre persona të mitur, ashtu që të akuzuarit kanë hyrë brenda në dhomë ku kanë qenë fëmijët e të dëmtuarve dhe të njëjtit i kanë kërcënuar fëmijët duke u thënë që të mos lëvizin dhe të mos bërtasin dhe nga kanapeja kanë marrë çantën me të holla në të cilën kanë qenë 280 mijë marka gjermane dhe një sasi ari në vlerë prej 2 mijë marka. Pas marrjes së të hollave dhe arit, aktakuza thotë se ata janë larguar.