Vali Corleone | Foto: Facebook

Dështon seanca ndaj Vali Corleones në Apel

Princvalentino Corleone, ka munguar në seancën e Gjykatës së Apelit për të vendosur për ankesën e Prokurorisë kundër vendimit të Gjykatës së Gjilanit.

I pranishëm ishte babai i tij, i cili njoftoi se Corleone mungonte për arsye shëndetësore.

Gjykata në Gjilan e kishte liruar Princvalentino Corleone nga akuzat për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Corleone në asnjë fazë të procedurës nuk e kishte pranuar kryerjen e veprës penale që i vihej në barrë.

Në bazë të aktakuzës në korrik të vitit 2013 rreth orës 22:30, në toiletin e diskotekës “Stop” të pandehurit Gent Qamili dhe Princvalentino Corleone në bashkëveprim kishin tentuar të shkaktojnë rrezik të madh për jetën e njerëzve.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari Princvalentino Corleone pas marrëveshjes paraprake me të pandehurin Gent Qamilin, i jep një granatë dore të tipit “A1” me ndezës dhe siguresë dhe i jep instruksione që të vendos në toiletin e diskotekës “Stop” duke i premtuar shumën prej 300 euro.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se Gent Qamili pasi kishte marrë atë nga Corleone, e kishte vendosur në toiletin e diskotekës “Stop” dhe e thërret në telefon policinë duke i thënë se ka bombë.

Procedura ndaj Corleones ishte veçuar nga Gjykata e Gjilanit, ngase i njëjti kishte qenë i paarritshëm për policinë.

Për të akuzuarin tjetër Gent Qamili procedura kishte përfunduar me marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Prokuroria e Gjilanit ka parashtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës së Gjilanit, ku propozon që lëndën t`ia kthej Gjykatës së shkallës së parë apo të ndryshoj aktgjykimin ashtu që të akuzuarin Corleone ta shpallë fajtor.