Dëshmitarët rrëfejnë momentin e aksidentit nga i cili vdiq një fëmijë

Në Gjykatën e Mitrovicës sot ka vazhduar gjykimi ndaj Adem Brahimajt dhe Bleon Sejdiut, të akuzuar për veprën penale – rrezikim i trafikut publik.

Brahimaj dhe Sejdiu akuzohen nga Prokuroria e Mitrovicës se në tetor të vitit 2020 ishin përfshirë në një aksident në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Runik, duke shkelur ligjin për komunikacion.

Sipas akuzës i pandehuri Sejdiu ka qenë duke e drejtuar veturën “Opel Vectra” në rrugën e lartcekur dhe me të arritur në fshatin Runik ka hyrë në tejkalim të një automjeti i cili ka qenë para tij, të cilin e drejtonte tani i pandehuri Adem Brahimaj.

Tutje në akuzën e Prokurorisë thuhet se atëherë i pandehuri Brahimaj pa u siguruar në retrovizor dhe në këndin e vdekur merr veprimin e tejkalimit të automjetit i cili ishte para tij, me ç’rast me të filluar tejkalimin e godet me pjesën e pasme anësore të djathtë automjetin “Opel Vectra” të cilën e drejtonte i pandehuri Bleon Sejdiu.

Nga goditja që pëson i pandehuri Bleon Sejdiu humb kontrollin mbi automjet, del jashtë rruge dhe në trotuar godet dy këmbësorë, pastaj në mënyrë të pakontrolluar lëviz 75 metra nga pika goditëse, kurse automjeti “Opel Zafira” humb kontrollin dhe ndalet nga pika goditëse në një largësi prej 100 metra.

Si pasojë e këtij aksidenti shkaktohen dëme materiale të dy automjeteve, kurse lëndime të rënda trupore pësojnë dy pasagjerët që gjendeshin në automjetin “Opel Zafira”, e po ashtu këmbësorja Fatmire Sejdija, ndërsa fëmija E.S., nga lëndimet e marra dërgohet në QKM në Skenderaj ku vdekjen e saj e konfirmon mjeku kujdestar.

Gjatë seancës së sotme të mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Arian Xhema, të pandehurit janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprën me të cilën ngarkohen nga Prokuroria.

Ndërsa gjatë dhënies së fjalës hyrëse prokurori Xhema ka theksuar se mbetet pranë aktakuzës ndërsa nga provat e grumbulluara gjatë hetimeve, do të vërtetohet se të pandehurit janë fajtorë për veprën penale si në akuzë.

Kurse avokati Bledar Gashi, i cili në këtë rast e mbron të akuzuarin Adem Brahimaj, gjatë fjalës hyrëse ka thënë se ditën kritike i mbrojturi i tij ishte duke vozitur me shpejtësi të lejuar, tejkalimin e kishte bërë në vendin e lejuar duke iu përshtatur kushteve të rrugës por se ishte goditur nga tani i pandehuri Bleon Sejdiu.

“Mund të ju them se ditën kritike i mbrojturi im ka qenë duke vozitur më shpejtësinë e lejuar dhe iu ka përshtatur kushteve të rrugës, i njëjti ka bërë tejkalimin në vendin e lejuar do të thotë se është goditur nga tashmë i akuzuari Bleon Sejdiu, klienti im ka humbur kontrollin pas goditjes si dhe pasagjerët kanë marrë lëndime, klienti im menjëherë ka telefonuar policinë, nuk është larguar nga vendi i ngjarjes si dhe policisë u ka thënë që të thërrasin ambulancën sepse në veturën e tij ka pasur të lënduar“, tha Gashi gjatë fjalës së tij hyrëse.

Kurse avokati Gani Rexha, i cili e mbron të akuzuarin Bleon Sejdiu, ka thënë se nuk pajtohet me mendimin e prokurorit Xhema se në provat të cilat janë grumbulluar gjatë hetimeve do të vërtetohet fajësia e të mbrojturit të tij.

“ Ne e mendojmë të kundërtën me provat që do të nxjerrë gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim. Sipas mendimit të ekspertëve të komunikacionit i vetmi lëshim i të mbrojturit tim është ngasja e automjetit me një shpejtësi më të madhe se që ka qenë e lejuar në vendin kritik“, tha Rexha.

Gjatë kësaj seancë janë dëgjuar edhe dy dëshmitarë.

Bakija Brahimaj, vëllai i të pandehurit të parë, ka thënë se ditën kritike kishte qenë në veturë me vëllanë e tij ndërsa sipas tij kishin qenë në përfundim të tejkalimit të veturës e cila kishte qenë para tyre, ndërsa në momentin kur ka dashur që të rreshtohet në shiritin e vet kishte dëgjuar goditjen.

Kurse e shkurtër në dëshminë e saj ka qenë dëshmitarja Zelfije Smakaj, bashkëshortja e të pandehurit të parë.

“Krejt çka me kujtohet është se në një vend të caktuar e kam vërejtur veten që po lëvizim, se unë kam qenë ulur pas shoferi, e kam vërejtë vetën duke lëvizë, herë duke goditë ulësen e shoferit herë ulësen mbrapa, më shumë nuk më kujtohet“, tha dëshmitarja.

Në këtë seancë nuk kanë qenë të pranishëm dy dëshmitarë të tjerë.

Kurse avokati Gani Rexha ka propozuar që të ftohet për t’u dëgjuar edhe eksperti i komunikacionit, Ahmet Maxhuni.

Në këto rrethana gjyqtari Rrahman Beqiri seancën e radhës për këtë rast e ka caktuar për më 19 prill.