Deputeti Etem Arifi dërgohet në burg

Deputeti Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale mashtrim me subvencione, është duke vuajtur dënimin në burgun e Lipjanit.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Isuf Iberdemaj.

“Pasi ka përfunduar procedura e vlerësimit dhe kategorizimit, Etem Arifi u transferua në Qendrën Korrektuese të Lipjanit”, tha Iberdemaj.

Deputeti Arifi, ishte paraqitur në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, më 29 shtator, pasi Gjykata Kushtetuese i kishte refuzuar ankesën në të cilën kishte kërkuar që të mos vuante dënimin.

Në këtë proces penal i dënuar është edhe Bajram Gashi, i cili ka shkuar për vujatje të dënimit në mënyrë vullnetare më 9 mars.

Për herën e parë Etem Arifi dhe Bajram Gashi më 20 prill 2018 janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me dënim me kusht prej 2 viteve, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Por Apeli kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale sa i përket vendimit mbi dënimin dhe aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar në këtë pjesë ku të akuzuarit Etem Arifit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti.

Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin akuzuar për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Pasi që Gjykata Supreme i refuzoi kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë si të pabazuar, dënimi prej 1 viti e 3 muajsh deputetit Arifi, iu bë i plotfuqishëm.

Kujtojmë se i njëjti më 9 mars 2020, është dashur të paraqitet në Qendrën për vuajtjen e dënimit.

Por i njëjti për shkaqe shëndetësore kishte arritur 2 herë të shtyente ekzekutimin e dënimit për nga 2 muaj.

Herën e tretë Gjykata e Prishtinës, i kishte refuzuar kërkesën për shtyerje të dënimit si të pabazuar.

E këtë vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, kur i’a  refuzoi  si të pabazuar ankesën e të dënuarit Arifi.

Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhej se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar, deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor ‎2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25,646.00 eurove.