Foto: KALLXO.com

Dënohet me 1.200 euro gjobë zyrtari i Gjendjes Civile i akuzuar për falsifikim të dokumenteve

Në tetor të këtij viti Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj koordinatorit të Gjendjes Civile në Mamushë, Mirat Shala, nën akuzat për falsifikim të dokumentit zyrtar të aktvdekjes, ndërsa i bashkakuzuari Arif Mazrek akuzohej për legalizim të përmbajtjes së rreme.

Zyrtari i gjendjes civile nën akuzë për falsifikim dokumenti

Më 14 tetor, të akuzuarit kishin dalë para Gjykatës por asnjëri nga ta nuk kishte angazhuar avokatë mbrojtës.

Prandaj, Gjykata e Prizrenit për të dy kishte angazhuar avokatë sipas detyrës zyrtare.

Një muaj më vonë, të akuzuarit kanë arritur marrëveshje dhe kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.

Në marrëveshjen për pranim të fajësisë e lidhur ndërmjet të akuzuarve dhe prokurorit,  si dënim të rekomanduar Prokuroria kishte propozuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh për zyrtarin civil Mirat Shala, ndërsa për të akuzuarin Arif Mazrek kishte propozuar dënim me  burgim në kohëzgjatje prej 4 muajsh.

Gjyqtari i rastit Artan Sejrani kishte aprovuar marrëveshjen me shkrim të arritur ndërmjet të akuzuarve dhe Prokurorisë, ndërsa me propozimin e mbrojtësve dhe me pëlqimin e të akuzuarve, Gjykata dënimet me burgim i ka zëvendësuar me dënim me gjobë.

Për të akuzuarin Mirat Shala Gjykata dënimin me burg e zëvendësoi me dënim me gjobë në shumën prej 1.200 euro, ndërsa  të akuzuarit Arif Mazrek dënimin me burg prej 4 muajsh Gjykata ia zëvendësoi me gjobë në shumën prej 800 euro.

Sipas Prokurorisë, në shkurt të vitit 2016, koordinatori i Gjendjes Civile në Mamushë, Mirat Shala, ka përpiluar aktvdekjen për të ndjerin Ramadan Mazreku, duke i përfshirë si trashëgimtarë bashkëshorten e të ndjerit dhe 4 djemtë e tij.

Por, sipas aktakuzës, zyrtari Mirat Shala në këtë aktvdekje nuk e ka përfshirë edhe trashëgimtarin tjetër Zylfi Shanli, e për këtë veprim ai po akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, aktvdekja e përpiluar nga i akuzuari Shala është përdorur në ndërkohë si provë për trashëgimi te noteri.

Bashkë me koordinatorin e Gjendjes Civile, po akuzohet edhe i pandehuri Arif Mazreku, i cili  sipas Prokurorisë ka kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme.

Aktakuza thotë se i njëjti ka vënë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik të vërtetojë një çështje të pavërtetë.

I njëjti sipas Prokurorisë pas datës 2 shkurt të vitit 2016, ka shkuar në një zyrë noterie në Mamushë, dhe ka dorëzuar aktvdekjen e përpiluar nga i bashkakuzuari Mirat Shala si zyrtar i Gjendjes Civile, e në bazë të aktvdekjes, zyra noteriale ka sjellë aktvendim të trashëgimisë, pa qenë i përfshirë edhe trashëgimtari Zylfi Shanli.