Deklarohen para Gjykatës dy gjeodetët e akuzuar se kanë bërë ndarjen e tokës pa lejen e njërit vëlla
Dy gjeodetët, Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë dhënë mbrojtjen e tyre para trupit gjykues. Prokuroria po pretendon se të akuzuarit kanë bërë ndarjen e parcelave pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit nga katër bashkëpronarët Gjek Gjevlekaj, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjevlekaj.
I akuzuari Bajram Selmani, gjatë mbrojtjes së tij, tha se me kërkesën e palëve e kishte bërë ndarjen e parcelave kadastrale të bashkëpronarëve-vëllezërve Gjevlekaj.
Ai tha se kërkesa e parashtruar për parcializim mund të nënshkruhet vetëm nga një pronar apo bashkëpronar, mirëpo në procesverbalin e terrenit pranoi se duhet të nënshkruhet nga të gjithë bashkëpronarët.
Prokurori i rastit Mehdi Sefa e pyeti të akuzuarin nëse sipërfaqja ishte ndarë në 4 pjesë të barabarta sipas kërkesës së palëve për parcializim.
Gjeodeti Selmani deklaroi se ngastra kadastrale kishte pësuar disa ndryshime.
“Në rastin konkret ka ndryshme në parcelën me numër 518 sepse gjendja e cila është në dokumente kadastrale ndryshon nga gjendja në terren”, tha ai.
Sipas tij, asnjëri nga bashkëpronarët nuk ishte i dëmtuar pasi që gjatë kohës kjo parcelë ka pësuar ndryshime.
Mirëpo, prokurori Sefa e ballafaqoi të akuzuarin me kopjen e planit të cilën e kishte pranuar Drejtoria Kadastrale në Prizren, ku shihej se sipërfaqja nuk ishte ndarë në mënyrë të barabartë.
Selmani e arsyetoi këtë pretendim me ndryshime të kufirit të ngastrës kadastrale në terren si dhe shtoi se një pjesë e kësaj prone ishte ndarë si rrugë.
I dëmtuari në këtë proces, Gjek Gjevlekaj e pyeti të akuzuarin Selmani se pse ishte ndryshuar ngastra që do të duhej t’i takonte atij.
Selmani theksoi se ky ndryshim ishte bërë nga palët, konkretisht kishte rrjedhur nga bashkëpronarët Pren, Mihil dhe Gjon Gjevlekaj.
Gjatë pasdites, mbrojtjen e dha edhe e akuzuara e dytë Luljeta Rizanaj.
Ajo shtoi se nuk ishte kompetencë e saj që të kontrollojë nënshkrimet e lëndës për copëzimin e parcelës.
“Kjo nuk bie në kompetencën time, pasi që këtë e ka punuar gjeodeti i licencuar i cili e sjell lëndën e kompletuar por nuk përjashtohet që të verifikojë edhe unë një gjë të tillë”, tha Rizanaj.
Sipas Prokurorisë, Bajram Selmani, gjeodet, po akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj.
Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Selmani e ka bërë në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.
Për të akuzuarën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.
Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete, bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.
Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin me 12 shkurt 2018.
Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit.