BIRN dhe Fol publikojnë Raportin për procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve
Me mbështetjen e Programit të USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë – JSSP, BIRN dhe Fol publikuan raportin mbi ankesat disiplinore ndaj gjyqtarëve në gjykatat e Kosovës.
Ky raport ka për qëllim të vlerësojë efikasitetin dhe transparencën në procedurën e trajtimit të rasteve disiplinore të iniciuara ndaj gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave në Republikën e Kosovës përgjatë periudhës 1 korrik deri më 1 nëntor 2019.
Kjo periudhë është relativisht e shkurtër për të monitoruar këtë proces, andaj monitorimi do të vazhdojë deri në qershor të vitit 2020. Përmes këtij raporti synohet të pasqyrohet numri i përgjithshëm i ankesave të pranuara nga Autoriteti Kompetent, numri i rasteve të refuzuara dhe të hedhura, numri i rasteve të referuara në Prokurorinë e Shtetit dhe numri i rasteve për të cilat është kërkuar inicimi i procedurës disiplinore pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Monitorimi në të ardhmen gjithashtu do të përfshijë edhe shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve disiplinore të KGJK-së nga Gjykata Supreme. Po ashtu, në këtë raport, për periudhën e lartpërmendur kohore, do të pasqyrohet edhe vendimmarrja e Këshillit Gjyqësor dhe puna e paneleve hetimore të formuara nga ky Këshill në lidhje me trajtimin e ankesave të rasteve disiplinore, e po ashtu do të pasqyrohet edhe puna e Institucionit të Avokatit të Popullit në lidhje me ankesat disiplinore.
Në këtë kompozicion do të pasqyrohet efikasiteti i procedurës dhe trajtimit të rasteve disiplinore nga Autoriteti Kompetent dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në veçanti duke pasqyruar aspektin kohor dhe procedural të trajtimit të ankesave disiplinore, duke vënë kështu në pah mangësitë dhe zbrazëtitë, fillimisht në raport me Ligjin 06/L- 057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve si dhe mangësitë dhe zvarritjet e Autoritetit Kompetent dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës në trajtimin e rasteve disiplinore.
Po ashtu ky raport pasqyron edhe lëshimet e bëra nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në trajtimin e rasteve disiplinore.
Raporti do të trajtojë vetëm aspektin statistikor dhe kohor të rasteve disiplinore duke respektuar në tërësi konfidencialitetin e procedurës dhe duke mos u marrë fare me identitetin e personave të përfshirë apo me përmbajtjen e veprimeve hetimore të ndërmarra.
Para publikimit të këtij raporti përfundimtar, BIRN dhe FOL më 12 dhjetor të vitit të kaluar, mbajtën një konferencë në të cilën u prezantua broshura me gjetjet fillestare në lidhje me procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve.
Në këtë konferencë mori pjesë kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryetarët e disa gjykatave të Kosovës ndërsa raporti më pas iu është dërguar për komente eventuale të gjitha gjykatave dhe Institucionit të Avokatit të Popullit.
Këtu mund t’i gjeni raportin në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.